Hovenier: Kosova të ecë përpara me Asociacionin, Serbia të përmbushë detyrimet

KOSOVA


Ambasadori amerikan, Xhef (Jeff) Hovenier, deklaroi se Kosova duhet të ecë përpara me dërgimin e draft-statutit për Asociacionin.

Në një intervistë për RTK, Hovenier u shpreh se ndërmarrja e këtij hapi të rëndësishëm do e ndihmojë Kosovën të jetë anëtare e BE-së, anëtare e NATO-s dhe e Këshillit të Europës.


“Ajo që dua është që qeveria të kuptojë janë dy gjëra. E para, Kosova ka shumë miq dhe ata miq duan ta shohin Kosovën në organizata si Këshilli i Evropës, por e dyta, ata miq duan të shohin vendin duke ndërmarrë veprime shtesë në mënyrë që të jenë të bindur për përkushtimin e vendit ndaj të drejtave të pakicave dhe të drejtave të njeriut. Një nga mënyrat më të dukshme për të bërë këtë e që e kemi rekomanduar të gjithë , është ndërmarrja e këtij hapi të rëndësishëm të dërgimit të këtij drafti të BE-së të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese. Na duket se kjo është një gjë e rëndësishme për Kosovën, pa iu referuar Këshillit të Evropës, sepse do të ndihmojë për të siguruar mbrojtje të duhur për komunitetin etnik serb në Kosovë, por gjithashtu zhbllokon dhe hap këtë rrugëtimin në të cilin duam ta shohim Kosovë”, u shpreh ambasadori.

Hovenier theksoi se nuk është dakord që në Kosovë të ketë një Republikë serbe dhe nuk pajtohet që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të ketë autoritet ekzekutiv.

“Të gjithë kemi thënë se ky draft i përmbush kërkesat. Kosova është zotuar qysh në vitin 2013 për të krijuar këtë Asociacion. Ky draft do të përmbushë kërkesat dhe edhe diçka tjetër, besojmë fuqimisht se është bërë në një mënyrë që respekton shqetësimet e identifikuara nga qeveria e Kosovës. Ne pajtohemi që në Kosovë të mos ketë një Republikë Serbe. Pajtohemi që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të mos ketë autoritet ekzekutiv; nuk duhet të krijojë një shtresë të re të qeverisë; nuk duhet të pengojë funksionimin e mirë të shtetit kosovar dhe duhet të jetë në përputhje të plotë me kushtetutën aktuale të Kosovës”, deklaroi më tej Hovenier.

Ky i fundit i ka bërë thirrje Serbisë që të përmbushë detyrimet e saj.

“Presim që Serbia të përmbushë të gjitha obligimet e saj në kuadër të dialogut, presim që edhe Kosova të përmbushë të gjitha obligimet e saj. Dhe sipas këndvështrimit tonë, për Kosovën kjo urgjentisht përfshin lëvizjen përpara me Asociacionin, dërgimin e draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim kushtetues”, theksoi ambasadori.




Skip to toolbar