I dashuri shkoi në banesën e efektives dhe pasi zbuloi se kishte vrarë veten fshiu SMS-të me të

AKTUALITET


Detaje të reja dalin nga arrestimi i të dashurit të efektives, Aldorjana Loshi, e cila vrau veten me armën e shërbimit ditën e djeshme.

Raportohet se i dashuri i saj 28-vjeçar, që tashmë është vendosur në prangat e policisë, akuzohet për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.


I riu nga Kamza raportohet se pasi partnerja e tij 21-vjeçare ka qëlluar veten, ka shkuar në banesë ku e ka gjetur të pajetë.

28-vjeçari fillimisht ka fshirë mesazhet që kishte shkëmbyer me efektivin e policisë në telefonin e saj dhe më pas ka telefonuar policinë për ngjarjen e ndodhur.

Babai i 28-vjeçari mësohet se ishte gjithashtu efektiv policie dhe punonte në të njëjtin komisariat me të dashurën e tij.

Ngjarja ndodhi pasditen e së premtes, më 24 maj, rreth orës 18:30, në rrugën “Todi Shkurti”.

Efektivja Aldorjana Loshi, prej një viti e gjysëm punonte në komisariatin e policisë nr.5 në Kamëz dhe nuk kishte shfaqur asnjë shenjë depresioni.

Debati me të dashurin dyshohet se mund të ketë qenë arsyeja që mund ta ketë çuar 21-vjeçaren drejt këtij akti të rëndë.

Njoftimi i policisë: 

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, ku në rrugën “Todi Shkurti”, është vetëvrarë me armën e shërbimit shtetasja A. L., 21 vjeçe, punonjëse policie pranë Komisariatit të Policisë Nr. 5, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, arrestuan shtetasin E. N., 28 vjeç, banues në Kamëz, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Ky shtetas dyshohet se ditën e djeshme ka shkuar në banesën e shtetases A. L., dhe pasi ka njoftuar Policinë për ngjarjen e ndodhur, ka fshirë mesazhet me shtetasen A. L., në telefonin e saj.

Materialet i kaluan Prokurorisë.




Skip to toolbar