Izet Haxhia, ish truproja i Sali Berishës ka kërkuar të martën përmes avokatit të tij zbutje të dënimit.
Ai është dënuar me 25 vite burg, por avokati Idajet Beqiri i ka bërë të martën një kërkesë gjykatës ku kërkon zbutje të dënimit për Haxhiajn.
“Izet Haxhia ka bërë 13 vite paraburgim që konvertohen në 20 vite”, ka thënë avokati në kërkesën e tij.
Ndërkohë gjykata do të japë një vendim lidhur me këtë në seancën e radhës në datë 5 korrik.
Izet Haxhia u rikthye në Tiranë pas 19 vitesh për vuajtur dënimin me 25 vite burg që ka marrë nga të gjitha shkallët e gjyqësorit shqiptar për bashkëpunim në vrasjen e deputetit Azem Hajdari.
Haxhia u arrestua në vitin 2006 dhe për shumë vite jetoi në Turqi në pritje të ekstradimit.
Haxhia ka qenë bodigardi i ish-Presidentit Sali Berisha, detyrë që e la pas ngjarjeve të 14 shtatorit 1998 në Tiranë.
Në procesin gjyqësor ndaj tij i zhvilluar në mungesë, dëshmitarët e mbrojtur nga Prokuroria deklaruan se ai ishte takuar me vrasësit e Azem Hajdarit disa orë përpara ngjarjes.
Por në media Haxhia mohon të ketë patur gisht në këtë vrasje.