Shkrirja e Krimeve të Rënda i mohon Izet Haxhisë të varrosë nënën

Izet Haxhia nuk është lejuar të shkojë në varrimin e nënës së tij, pasi aprovimi i lejes së tij është bllokuar në Prokurori, pas shkarkimit nga vettingu të prokurorit të çështjes Besnik Muçi. Lajmi është dhënë nga avokati i Haxhisë, Idajet Beqiri, i cili shkruan se për shkak të katrahurës së ndodhur në institucione, klienti i tij nuk ka mundur të përcjell dot në banesën e fundit nënë e tij.

Sipas avokatit Beqiri, Haxhia kishte marrë leje dhe të gjitha masat e nevojshme nga policia e Burgjeve për të bërë shoqërimin e tij në Tropojë, por kërkesa për dhënien e lejes ka ngecur në prokurori. Beqiri tha se iu drejtuar edhe kreut të SPAK dhe Gjykatës Speciale për lejimin e Izet Haxhisë në varrim, por kishte marrë një përgjigje negative nga të dy “pasi nuk ishin organi kompetent për të dhënë lejen përkatëse.”

“Katrahura në institucionet e drejtësisë nuk lejoi Izet Haxhiaj të merrte pjesë në varrimin e nënës së tij. Sot, në orët e para të mëngjesit ndërroi jetë nëna e Izet Haxhisë, ish badigardit kryesor të ish Presidentit të Republikës, Sali Berisha. Ceremonia mortore ishte caktuar në orën 15.00 të ditës së sotme, në fshatin Babinjë të Tropojës. Për hir të së vërtetës, autoritetet e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve si dhe strukturat e policisë së shtetit dhe ato të burgjeve, në një kohë rekord i morën të gjitha masat për të bërë shoqërimin e të paraburgosurit Izet Haxhiaj për në Tropojë, me qëllim që t’i hidhte një grusht dhe nënës së tij, njeriut më të dashur të jetës.

Mirëpo të drejtën e lejes në këto raste e ka Prokurori. Prokuror i kësaj çështje ishte Besnik Muçi. Meqenëse atë e rrëzoi vettingu, kjo çështje ka mbetur pa prokuror. Avokati i Izet Haxhisë dhe Institucioni i IEVP “Mine Peza” në Tiranë, ju drejtuan SPAK dhe Gjykatës Speciale të Krimeve të Rënda, pasi çështja e Izet Haxhisë u dërgua në këtë Gjykatë për kompetencë. Drejtuesi i SPAK ktheu përgjigjen negative, duke theksuar se nuk është organi kompetent për të dhënë lejen përkatëse, sikurse edhe Gjykata bëri të njëjtën gjë.

Ky është një rast i paprecedent, anti human dhe kundër standardeve të arritura deri më sot, kur dy institucione të rëndësishme të drejtësisë i pasojnë njëra-tjetrës një akt formal, pasi përgjegjësinë vendimtare për shoqërimin pa probleme të të paraburgosurit në këto raste e kanë administrata dhe autoritetet policore të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të cilat për hir të së vërtetës e përgatitën gjithçka në nivelin më të lartë”, shkruan avokat Idajet Beqiri në Facebook.

Izet Haxhia ndodhet në burg në pritje të gjykimit të tij për akuzat për vrasjen e Azem Hajdarit në 1998. Më herët Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli moskompetencë për dosjen “Hajdari” dhe e dërgoi për gjykim në Gjykatën e Lartë. Ndërkohë që Krimet e Rënda vendosën që Haxhia të qëndrojë në burg deri sa të shprehet Gjykata e Lartë, e cila aktualisht është jashtë funksioni.

“Hajdari”, në dorë të Gjykatës së Lartë

Dosja e Izet Haxhisë vijon të krijojë përplasje në gjykimin e saj. Pas Gjykatës së Tiranës, edhe Gjykata e Krimeve të Rënda ka shpallur moskompetencë të gjykimit të saj.

Prokuroria për Krime të Rënda kërkon shpalljen e moskompetencës për rigjykimin e Izet Haxhisë duke e çuar atë për interpretim në Gjykatën e Lartë. Pak ditë më parë edhe Gjykata e Tiranës shpalli moskompetencë duke ia deleguar çështjen “Hajdari”  Krimeve të Rënda.

Lindja e kësaj mosmarrëveshje, ka bërë që Gjykata e Krimeve të Rënda ta dërgojë çështjen e ish-truprojës së Sali Berishës në organin e Gjykatës së Lartë. Do të jetë Gjykata e Lartë që do të vendosi në lidhje me rastin.

Pas vendimit nga Krimet e Rënda, prokurori Besnik Muçi caktoi masën “Arrest me burg” për Haxhinë, duke mos pranuar kërkesën e tij për liri.

Deri në krijimin e Gjykatës së Lartë dhe shprehjes së saj në lidhje me vendimin, Haxhia do të mbetet në burg.

Dosja e Izet Haxhisë përfundon te SPAK

Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencë për dosjen e Izet Haxhisë, duke kërkuar që hetimet t`i vijojë Prokuroria e Krimeve të Rënda. Sipas Report Tv, Prokuroria e Tiranës e ka arsyetuar vendimin duke u shprehur se “vrasja e ish-deputetit Azem Hajdari të përfaqësohet në gjyq nga Krimet e Rënda, pasi nuk është në kompetencën e tyre vrasja e një ish-deputeti”. Në fakt, dosja pritet të përfundojë në Prokurorinë e Posaçme Anti-Krimit të Organizuar dhe Anti-Korrupsion (SPAK), pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet të shkrihet pas pak javësh sapo të krijohet SPAK.

Gjithashtu, me shkrirjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, do të shkrihet dhe Gjykata  e Krimeve të Rënda, e cila do të kthehet në Gjykatën e Posaçme. Izet Haxhia është një nga tre të dënuarit për vrasjen e ish-deputetit Azem Hajdari. Ai ka fituar të drejtën për rigjykim, ndërsa procesi për të ka nisur nga e para. Ndërkohë, atij i është rrëzuar kërkesa që vendimi përfundimtar në ngarkim të tij të jepet nga gjykatës që kanë kalur Vettingun.

Izet Haxhia ka vetëm pak muaj që është ekstraduar nga Turqia në Shqipëri, me kërkesë të drejtësisë shqiptare, pasi ishte i dënuar me 25 vite në mungesë për vrasjen e Azem Hajdarit. Tashmë pritet që kjo dosje, ashtu si shumë dosje të tjera të bujshme që presin ende drejtësi, të përfundojë në dorën e prokurorëve të SPAK, që me gjasa do të jetë gati në fillim të muajit tetor.

“Izet Haxhia, gjykim nga Krimet e Rënda”

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar shpalljen e moskompetencës për hetimin e dosjes së Izet Haxhisë, i cili akuzohet për vrasjen e ish-deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari dhe ka kërkuar që kjo dosje të kalohet te Krimet e Rënda.

Në kërkesën e prokurorisë thuhet se për shkak të postit që ka pasur viktima në cilësinë e deputetit, ky rast duhet të gjykohet nga Krimet e Rënda. Për këtë prokuroria ka kërkuar, që dosja e Izet Haxhisë të kalojë në kompetencën e Krimeve të Rënda.

Kjo ka bërë që seanca ndaj tij të shtyhet më 20 shtator, ndërsa avokatët po shqyrtojnë kërkesën e Prokurorisë duke cilësuar se ky vendim mund të rëndojë pozitat e Haxhisë.

Izet Haxhia, i cili nuk ka pranuar asnjëherë të jetë vrasësi i Azem Hajdarit, kërkon nga gjykata të hetohet në gjendje të lirë, me pretendimin se dënimi nga drejtësia shqiptare ka qenë politik me prova të manipuluara. Ai është dënuar në mungesë me 25 vjet burg për vrasjen e Azem Hajdari, pasi ishte arratisur në Turqi. Më pas ai u kap dhe ekstradua më 8 maj 2018, nga kërkoi rigjykim të çështjes dhe prej asaj dite vijon ende seancat gjyqësore.

Izet Haxhia ka qenë truprojë e Sali Berishës, deri në vitin 1998 gjatë kohës që Berisha ka mbajtur postin e Presidentit të Republikës.

I dënuar për vrasjen e Azem Hajdarit, Izet Haxhia kërkon ulje të dënimit

Izet Haxhia, ish truproja i Sali Berishës ka kërkuar të martën përmes avokatit të tij zbutje të dënimit.

Ai është dënuar me 25 vite burg, por avokati Idajet Beqiri i ka bërë të martën një kërkesë gjykatës ku kërkon zbutje të dënimit për Haxhiajn.

“Izet Haxhia ka bërë 13 vite paraburgim që konvertohen në 20 vite”, ka thënë avokati në kërkesën e tij.

Ndërkohë gjykata do të japë një vendim lidhur me këtë në seancën e radhës në datë 5 korrik.

Izet Haxhia u rikthye në Tiranë pas 19 vitesh për vuajtur dënimin me 25 vite burg që ka marrë nga të gjitha shkallët e gjyqësorit shqiptar për bashkëpunim në vrasjen e deputetit Azem Hajdari.

Haxhia u arrestua në vitin 2006 dhe për shumë vite jetoi në Turqi në pritje të ekstradimit.

Haxhia ka qenë bodigardi i ish-Presidentit Sali Berisha, detyrë që e la pas ngjarjeve të 14 shtatorit 1998 në Tiranë.

Në procesin gjyqësor ndaj tij i zhvilluar në mungesë, dëshmitarët e mbrojtur nga Prokuroria deklaruan se ai ishte takuar me vrasësit e Azem Hajdarit disa orë përpara ngjarjes.

Por në media Haxhia mohon të ketë patur gisht në këtë vrasje.

Skip to toolbar