I papranueshëm sulmi ndaj vetingut

OPINION


Genoveva Ruiz Calavera

BE-ja dhe SHBA-ja janë plotësisht të përkushtuara që të vazhdojë ta mbështesë reformën e gjyqësorit në Shqipëri, për të garantuar të drejtën e qytetarëve për një shoqëri demokratike ku askush nuk është mbi ligjin. Vetingu i gjyqësorit është një hap thelbësor në këtë drejtim.

Ka kaluar pak më shumë se një vit që kur Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mbajti seancën e parë dëgjimore në kuadër të procesit të vetingut. Që atëherë, institucioni i vetingut i shkallës së parë ka miratuar më shumë se 140 vendime. Ato janë pasuar nga rreth 20 vendime të formës së prerë në nivelin e Dhomës së Apelit.

Rezultatet shumë të prekshme të arritura deri më sot na kanë lejuar të bëjmë analizën e këtij viti të parë të punës intensive dhe të trajtojmë sfidat që na presin përpara, duke marrë parasysh se vetingu do të vazhdojë për disa vjet për të përfunduar vlerësimin e mbi 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Së pari, populli shqiptar meriton vlerësim të veçantë. Falë vendosmërisë së tij të fortë gjyqësori në të gjithë vendin po pastrohet nga korrupsioni, njëherë e përgjithmonë. Dëshira e tij për një gjyqësor vërtet të paanshëm dhe profesional donte të thoshte se reformat mund të fillonin. Qytetarët duhet të vlerësohen gjithashtu për interesin e tyre të vazhdueshëm gjatë gjithë procesit. Që kur institucionet e vetingut filluan të jepnin rezultatet e para, publiku ka ndjekur nga afër çdo hap, rezultat dhe vendim. Ky interes publik ka gjeneruar gjithashtu një numër të madh denoncimesh për korrupsion dhe keqmenaxhim të drejtësisë nga qytetarët drejtpërdrejt te vëzhguesit që janë pjesë e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM). Gjatë gjashtë muajve të fundit, ONM ka marrë përafërsisht 250 denoncime nga individë, ndërmarrje private, OJQ dhe institucione publike. Kjo gatishmëri për të kontribuar tregon se qytetarët besojnë se vetingu po shkon në drejtimin e duhur për t’iu përgjigjur aspiratave legjitime publike.

Së dyti, strukturat e gjyqësorit të krijuara rishtazi meritojnë inkurajim të veçantë. Nuk duhet të harrojmë se reforma e drejtësisë përfshinte një rishikim të të gjithë qeverisjes së gjyqësorit me rrënjë e me degë. Ajo u përqendrua në krijimin e një sistemi të pavarur dhe të vetëqeverisur që garanton integritet dhe përgjegjësi të qëndrueshme, si dhe pavarësi nga ndikimi politik. BE-ja i mbështet plotësisht këshillat e reja dhe të veçanta të gjyqësorit dhe prokurorisë që janë themeluar, si dhe Këshillin e ri për Emërimet në Drejtësi, duke pranuar se duhet kohë për të ndërtuar një sistem të ri të qëndrueshëm.

Së treti, tani që ka kaluar një vit, është e mundur të bëhet një analizë e parë e rasteve dhe rezultateve të vetingut. Vetingu është një proces kompleks dhe çdo dosje e veçantë, që përfshin me mijëra faqe, është e ndryshme nga tjetra. Ka nuanca dhe aspekte të të tria shtyllave të vlerësimit që mund të çojnë në konkluzione të ndryshme për shkaqe që duken të ngjashme. Vëzhguesit ndërkombëtarë të ONM-së i kanë monitoruar vendimet e institucioneve të vetingut në të gjitha nivelet, si dhe kanë ndjekur nga afër rezultatin e hetimeve të kryera nga organet ndihmëse. Një punë rigoroze nga Dhoma e Apelit është tani shumë e rëndësishme për të larguar çdo shqetësim në lidhje me administrimin e paanshëm të drejtësisë. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se nëse një person i vlerësuar mendon se të drejtat e tij / saj janë dëmtuar gjatë procesit, Kushtetuta e Shqipërisë garanton që ai / ajo ka të drejtë t’i drejtohet Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj) në Strasburg. Një numër të vlerësuarish e kanë referuar tashmë rastin e tyre në Gjykatë dhe vendimet e ardhshme do të kontribuojnë gjithashtu në jurisprudencën e institucioneve të vetingut.

Së katërti, kur shqyrtohen rezultatet e vetingut të vitit të parë të operacioneve, është e qartë se procesi ka pasur një ndikim të fortë mbi institucionet ekzistuese. Është shumë pozitiv fakti që tashmë janë krijuar organet e reja brenda gjyqësorit për të ndërmarrë përgjegjësi me angazhimin dhe profesionalizmin më të madh. Mungesa e kuorumit në Gjykatën Kushtetuese ka qenë, sigurisht, një çmim shumë i lartë për t’u paguar për tranzicionin. Nuk duhet të habitemi që procesi i rivlerësimit ka pasur implikime dhe pasoja në gjyqësor në të gjitha nivelet. Megjithatë, procesi i zëvendësimit të gjyqtarëve është në vazhdim dhe ky tranzicion do të përfundojë së shpejti. Ne besojmë se Këshilli i ri i Emërimeve në Drejtësi që kryen vlerësimin e vazhdueshëm dhe renditjen e kandidatëve, si dhe të gjitha institucionet e tjera që janë përgjegjëse për të bërë emërimet përfundimtare, do të kërkojnë kandidatët me integritetin më të lartë nga ata që kanë aplikuar. Puna e tyre duhet të kryhet shpejt, por pa sakrifikuar cilësinë.

Duke pasur parasysh interesin e lartë publik, është e rëndësishme të sigurohet monitorimi nga afër i procesit dhe të kontribuohet në mënyrë konstruktive në progresin e tij. Megjithatë, kjo nuk justifikon sulmin ndaj procesit në kushte të padrejta dhe të papranueshme, duke përfshirë edhe rastet kur i drejtohet personalisht anëtarëve individualë të institucioneve të vetingut. Disa njerëz mund të kenë frikë nga reforma gjyqësore dhe të jenë të gatshëm ta pengojnë atë, por kjo nuk mund të lejohet. Është përgjegjësi e të gjitha institucioneve shqiptare, partive politike, si dhe e shoqërisë civile, që të sigurojnë se forcimi i pavarësisë, paanësisë dhe llogaridhënies së gjyqësorit përmes këtij procesi është i garantuar. Muajt ​​e ardhshëm do të jenë vendimtarë, teksa Shqipëria do të kalojë nga faza e tranzicionit të reformës gjyqësore në zbatimin e saj të plotë. Organet e vetingut do të sigurojnë trajtimin e vazhdueshëm të rasteve prioritare në mënyrë që institucionet e reja të mund të krijohen plotësisht.

BE-ja, së bashku me SHBA-në në ONM, do të vazhdojë ta mbështesë këtë proces në mënyrë që populli shqiptar të përfitojë nga reforma dhe të krenohet me ndryshimin që kërkoi dhe që e ka dëshiruar për një kohë kaq të gjatë.

*Drejtore për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian dhe Shefe e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM).



Skip to toolbar