I vodhën makinën dhe 6000 franga pushuesit nga Zvicra, 3 në pranga

AKTUALITET


3 persona janë arrestuar nga Policia e Durrësit pasi i vodhën nën kërcënimin e armës, automjetin luksoz dhe 6000 franga një shtetasi me banim në Zvicër, i cili kishte ardhur për pushime në Durrës.

Sipas Policisë, 2 prej të arrestuarve ishin me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve ndaj personit dhe në fushën e vjedhjes së pronës. Gjatë operacionit u bllokua në cilësinë e provës materiale mjeti i vjedhur.


Në pranga përfunduan: K. R., 33 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprat penale “Vjedhja” dhe “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” mbetur në tentativë, pasi në vitin 2013, në qytetin e Vlorës, ka tentuar të vrasë me mjet prerës (thikë), shtetasin S. P. dhe ka plagosur me thikë shtetasin Sh. D.

H. S., 40 vjeç, banues në Durrës, i dënuar në Itali për veprën penale “Vrasja” dhe në Shqipëri për veprat penale “Vjedhja” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Në vijim të veprimeve u arrestua dhe shtetasi G. D., 42 vjeç, banues në Durrës.

“Shtetasit H. S. dhe K. R. dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, nën kërcënimin e armës, i kanë marrë automjetin tip “Audi Q5” dhe 6000 franga zvicerane, shtetasit B. F., 33 vjeç dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të Kavajës ku kanë kërkuar ndihmën e shtetasit  G. D., për t’i ndihmuar që të fshihnin makinën pasi po i ndiqte Policia. Dy shtetasit, për t’i shpëtuar Policisë, kanë braktisur mjetin dhe janë larguar, por janë kapur bashkë me shtetasin G. D. Gjatë operacionit shërbimet e Policisë sekuestruan në cilësinë e provës materiale automjetin e shtetasit B. F., si dhe po punohet për gjetjen e shumës së frangave të vjedhura nga dy shtetasit e arrestuar”, thotë Policia.




Skip to toolbar