Identifikohen 97 pengje të Hamasit, Izraeli: Mos na bëni moral për Gazën, pa liruar të rrëmbyerit

BOTA


Izraeli nëpërmjet një zëdhënësi ushtarak ka njoftuar se autoritetet kanë arritur të identifikojnë 97 persona të marrë peng në Rripin e Gazës, gjatë aksionit të armatosur të Hamasit, mëngjesin e së shtunës.

Më herët, nga Jerusalemi zyrtar pretendohej se deri në 150 persona ishin rrëmbyer kur militantët e Hamasit nisën sulmin e tyre të befasishëm.

Ndërkohë në krahun tjetër, Hamasi thotë se i ka fshehur pengjet në “vende dhe tunele të sigurta”, brenda Gazës dhe kanë kërcënuar se do t’i vrasin një nga një, nëse shtëpitë e civilëve bombardohen nga Izraeli pa paralajmërim.

Sakaq, në një konferencë për mediat, presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, tha se lëndimet në trupat hebre të vrarë nga Hamasit ishin për hetuesit diçka ndryshe nga çdo gjë që kishin parë ndonjëherë më parë.

Sipas tij, trupat e civilëve të vrarë kanë treguar shenja torture dhe se “Izraeli është përballur me një nga armiqtë më mizorë në tokë”.

“Një familje prej pesë anëtarësh u gjet e lidhur së bashku, të gjithë të përqafuar, të qëlluar dhe djegur. Po pyesja veten se çfarë luteshin para se të qëlloheshin të gjithë së bashku. Familja ishte nënë, baba dhe fëmijë. Më shumë njerëz u gjetën të vrarë në anë të rrugës në kanale”, tha Herzog.

Ndërkohë, Forcat Mbrojtëse të Izraelit thanë se kishin vrarë 1500 militantë të Hamasit, ndërsa 1300 izraelitë janë konfirmuar se janë vrarë që kur nisi sulmi i Hamasit të shtunën.

Shifrat e fundit vijnë në një kohë kur Rripi i Gazës është pa energji elektrike, ushqime apo ujë. Ministri i Energjisë i Izraelit ka thënë se energjia nuk do të kthehet në territorin ku banojnë 2 milionë banorë derisa pengjet izraelite të lirohen.

“Ndihma humanitare për Gazën? Asnjë çelës elektrik nuk do të ndizet, asnjë hidrant uji nuk do të hapet dhe asnjë kamion me karburant nuk do të hyjë derisa të rrëmbyerit izraelitë të kthehen në shtëpi. Askush të mos na predikojë moral“, tha Israel Katz.



Skip to toolbar