Të paktën 44 persona janë lënduar, një prej tyre në gjendje të rëndë, pasi një tren pasagjerësh doli nga shinat në veri të Francës, kanë njoftuar autoritetet lokale.
Një 18-vjeçare, e cila ishte në gjendje kritike, është transportuar me helikopter drejt spitalit.
Ministri i Transportit, Philippe Tabarot, tha se në tren ndodheshin rreth 180 pasagjerë. Treni po qarkullonte në linjën mes Rouen dhe Caen, në rajonin e Normandisë.
Sipas tij, rreth 140 zjarrfikës dhe ekipe të tjera emergjente janë angazhuar në vendin e aksidentit, pranë komunës Cleon, në jug të Rouen.
Shkaku i daljes së trenit nga shinat ende nuk dihet.
Autoritetet lokale aktivizuan planin për përballimin e një numri të madh të viktimave pas aksidentit, i cili ndodhi pak para orës 20:00 sipas kohës lokale.
Pamjet e publikuara më vonë treguan pasagjerë duke dalë nga treni i aksidentuar, ndërsa mediat franceze raportuan se tre vagonë janë përmbysur.
Operatori shtetëror francez i hekurudhave, SNCF, njoftoi për “ndërprerje të konsiderueshme” të qarkullimit në linjat e zonës. Kompania bëri të ditur se do të vihen në dispozicion autobusë zëvendësues.


