Arben Imami ka dhënë zgjidhjet e tij për krizën që ka përfshirë vendin duke iu drejtuar një qeverie tranzitore, por kjo nuk do të thotë një qeveri e krijuar nga PS apo PD. Në Real Story, Imami tha se është e pamundur që Rama të largohet nëse PD nuk forcohet dhe sigurisht që kjo do të sjell edhe mbylljen e ciklit të Bashës. “Basha e ka mbyllur ciklin e tij që para dy vjetësh, por qeveria Rama ka marrë plagë të mëdha gjatë kësaj kohe” tha Imami, i cili shtoi se krijimi i një qeveri e tranzitore është e nevojshme për të na çuar në zgjedhje reale dhe zgjidhje të krizës. Një qeveri e madhe ku PS dhe PD ndajnë pushtetet ka për të dështuar ashtu si ka ndodhur edhe më herët dhe kjo nuk është e shëndetshme as për demokracinë dhe as për vetë PD tha Imami për Sokol Ballën nga studio e Real Story në Vizion Plus.
“Të kërkosh qeveri tranzitore duhet të imponohesh. Jo të imponohesh me dhunë, por me prezencë politike. Për mua Basha e ka mbyllur si cikël, është me 2 vjet vonesë për tu tërhequr. Më duket e panevojshme dhënia e kohës. Ai i ka humbur tre palë zgjedhje 2015, 2017 dhe 30 qershorin. Nuk do të iki Edi Rama nëse nuk forcohet PD, është e pamundur. Nëse nuk do të kemi një politikë dhe përpjekje që nga brenda partive për tu ulur për të diskutuar me kundërshtarin, duke diskutuar për reformën në drejtësi, kjo është hapi i parë drejt një qeverie tranzitore. Por që të qeverisim bashkë dhe t’i ndajmë punët bashkë, kjo nuk është demokraci dhe nuk është e shëndetshme as për vendin dhe as për PD. Duhet një qeveri tranzitore, por jo një qeveri e madhe ku PS dhe PD të qeverisin së bashku. Kjo është parë që ka dështuar. Rama nuk mund të qeverisë më pas këtyre plagëve të rënda që ka marrë, pasi PS dhe qeveria është në një ngërç të madh. Ndërsa PD duhet të ringrihet.”– tha Imami në Real Story