Arben Imami, sonte në Real Story (në vend të Metës). Balla: Për Presidentin do kem vetëm një pyetje…

AKTUALITET


Arben Imami ish themeluesi i PD-së, është sonte i ftuari i Sokol Ballës në studion e Real Story, ora 21.00 në Vizion Plus.

Arben Imami është themelues i PD-së në dhjetor 1990. Por është edhe njeriu që u rrah prej Berishës në vitin ’96, u shkëput për disa vite dhe më pas u rikthye sërish në PD në vitin 2005 me krijimin e KOP-it të famshëm.


Për disa vite në qeverinë Berisha mbajti postin e Ministrit të Mbrojtes. Por kur Basha në maj 2017 e përjashtoi nga lista e deputetëve, Imami bashkë me Topallin dolën kundër tij në kulm të fushatës.

Intervista e Imamit në Real Story vjen vetëm pak ditë pas mesazhit të Jozefina Topallit kundër Bashës.

Pas zgjedhjeve të 30 qershorit ajo e cilësoi aksionin e Bashës të dështuar. Çfarë mendon Imami për situatën në PD? A duhet të rikthehet PD në sistem apo do të vazhdojë rrugën e Bashës? A mundet Basha të dalë fitimtar në zgjedhjet e ardhshme dhe a do të jetë Imami pjesë e një aksioni për ringritjen e PD-së? Për këto dhe për shumë pyetje të tjera, ndiqni intervistën e Arben Imamit, sonte në Real Story ora: 21:00 në Vizion Plus.

Imami në vend të Metës

Ndërkohë prej dy ditësh Sokol Balla kishte ftuar Presidentin e Republikës, pasi Ilir Meta gjatë sulmit personal që i bëri atij dhe familjarëve të tij, në fund e sfidoi Ballën ta ftonte në emision “së bashku me miqtë e tij amerikanë, me Edi Ramën dhe zonjën Calavera”, për tu përballur për Reformën në Drejtësi. Balla e pranoi kërkesën dhe e ftoi publikisht Presidentin të vinte në Real Story të enjten. Por nga Presidenca nuk pati asnjë përgjigje. Stafi i Real Story kontaktoi të mërkurën stafin e Presidentit, por prej tyre morën përgjigje se nuk kishin marrë asnjë sinjal nga Ilir Meta se ai do të shkonte të enjten në studion e Real Story. I kontaktuar nga realstory.al, Sokol Balla tha se në këto kushte i duhej të përgatiste një tjetër emision. Por ai thotë se nëse Presidenti ndryshon mendje edhe në minutë të fundit, ai do jetë i mirëpritur. “Kisha përgatitur disa pyetje për Presidentin që besoj kishin interes për opinionin publik, që lidhen me funksionimin e rolit të Presidentit gjatë kësaj krize dhe asnjë pyetje me sfond personal”, thotë Balla, i cili u sulmua personalisht dhe iu përmendën fëmijët thuajse me një mesazh kërcënues nga kreu i shtetit. “Gjithsesi për një nga pyetjet, e kam gjetur përgjigjen nga vetë Meta, në një intervistë dhënë për një televizion rus. Këtë pyetje dhe përgjigjen do t’i transmetoj sot në fillim të programit”, thotë Balla.




Skip to toolbar