“Basha Ik” nis takimet në bazë, Imami: Kreut të PD i mungon e ardhmja

Lëvizja “Basha IK” ka nisur aksionin me takime të ndryshme që po zhvillohen në rradhët e anëtarëve të PD-së në degët e kësaj partie. Lajmin e ka bërë të ditur Arben Imami, një ndër figurat e larguara, sikurse dhe shumë të tjerë, për shkak të përplasjeve me kryetarin e PD-së Basha. Imami është shprehur se “Bashës i mungon e ardhmja dhe PD-së i mungon mungesa e tij”. Ai ka bërë të ditur se tashmë kanë nisur takimet informale të cilat synojnë diskutimin dhe nisjen e një cikli të ri demokracie që përfshin edhe llogaridhënien.

“Shëndoshja duhet të fillojë nga brenda në PD. Dhe për këtë qëllim kemi filluar një sërë takimesh krejt informale për t’u vetësqaruar se nëse e dëshirojmë fundin tonë, fundi do të vijë, por nëse kemi vullnetit dhe parimet e PD-së jo vetëm që nuk ka fund por duhet të iniciojmë një cikël të demokracisë partiake, asaj parlamentare, të kontrollit dhe llogaridhënies së politikës përfshi qeverisjen.

Vendi ka nevojë për një revolucion, por ky është ndryshimi i kulturës politike. Dhe këtë mund ta iniciojë vetëm PD-ja. Unë e di që realizimi i kësaj nuk është kaq e lehtë sa ta thuash, kjo nuk kërkon vetëm një përpjekje politike, por një sforcim të madh moral dhe social. Gjithësesi politika nuk është e parëndësishme, ajo nuk mund të rrijë në bisht”, është shprehur Imami në një intervistë për CNA.al.

I pyetur për aleancën me LSI-në, një parti që deri dje ishte në tepsinë e Ramës, Imami është shprehur aleancat janë të domosdoshme, por më e rëndësishme është fuqizimi i PD-së.

“Aleancat janë të domosdoshme. Aleatët tanë të përhershëm kanë qenë substancialë në ’92, 2005, 2013. Zgjerimi i aleancave nuk ka asgjë të keqe në vetvete, përkundrazi. Ajo që nuk duhet bërë është likujdimi i aleatëve siç ndodhi në 17 maj. Ajo që duhet bërë është fuqizimi së pari i partisë tënde”, është shprehur ai.

Imami ka renditur disa kritika drejtuar Bashës, duke nisur jo vetëm nga marrëveshja e 17 majit me Ramën, por edhe listën e deputetëve të përzgjedhur prej tij dhe “unitetin Rilindje-Republikë e Re”.

“Energjia, frymëzimi, mobilizimi, militantizmi në një parti nuk janë të dhëna një herë e përgjithmonë. Këto ndikohen dhe formësohen nga veprimi politik, qëllimet, puna, njerëzit. Edhe me pije energjitike anëtarët dhe votuesit e PD nuk mund ta kapërdinin kompromisin për bashkëqeverisjen, ndërprerjen e luftës kundër kanabizimit, koncesionarizimit etj të vendit nga qeveria rilindase, listën Basha, unitetin Rilindje-Republikë e Re.

Për hir të së vërtetës, në çastin kur njerëzit menduan se Basha do të mund ta çonte partinë përpara, ata e mbështetën partinë e tyre, i mbushën sheshet e protestës, treguan vullnet dhe sakrificë, militantizëm që tregon se kjo është një parti e madhe. PD nuk e ka mbyllur ciklin. Nëse PD do të dështojë në veprimin politik që ndërmori këtë vit, kjo nuk do të jetë për shkak të tyre”, është shprehur Imami.

Ai ka theksuar se ka qenë gjithmonë kundër djegies së mandateve të PD dhe kundër bojkotit të zgjedhjeve ndërsa thotë se askush nuk ka të drejtë të shuaj partinë, as kryetari i saj.

“Djegia e mandateve dhe mospjesëmarrja në zgjedhje janë dy akte që së bashku nuk e përmirësojnë situatën e PD për sukses. Nëse kjo çon në “mbylljen e ciklit”, shumë e dëshiruar kjo sepse PD është e vetmja parti e madhe opozitare antikomuniste që mbijeton, çfarë duhet të bëjmë? Të konstatojmë dhe të presim “mbylljen e ciklit”? Këtë përgjigje mund ta japin vetëm anëtarësia e PD. Askush nuk ka liçencë për ta shuar partinë, as kryetari i saj”, është shprehur ai.

I pyetur për një marrëveshje të re Rama-Basha, Imami thotë se “ajo do të ishte thjesht fundi i palavdishëm i një partie që rrëzoi komunizmin, e hapi vendin dhe e anëtarësoi apo kandidoi atë në të gjitha institucionet perëndimore. Sigurisht që jam kundër; ne jemi jashtë sepse ishim kundër saj në 2017”.

Ashtu sikurse Realstory.al e ka parlajmëruar disa javë më herët, lëvizja “Basha ik” ka nisur pikërisht në muajin shtator. Nga takimet me bazën pritet që lëvizja të përvijohet dhe të shtrihet në të gjitha degët e PD-së. Figurat e larguara të PD-së, drejtues të kësaj lëvizje e kanë menduar një plan që si synim kryesor ka largimin e Bashës nga karrigia e kryetarit dhe forcimin e fuqizimin e partisë më të madhe opozitare, që për shkak të vendimeve të gabuara sot është pa asnjë pushtet dhe jashtë dyerve të parlamentit./realstory.al

Imami: Zgjidhja e krizës, qeveri tranzitore jashtë politikës

Arben Imami ka dhënë zgjidhjet e tij për krizën që ka përfshirë vendin duke iu drejtuar një qeverie tranzitore, por kjo nuk do të thotë një qeveri e krijuar nga PS apo PD. Në Real Story, Imami tha se është e pamundur që Rama të largohet nëse PD nuk forcohet dhe sigurisht që kjo do të sjell edhe mbylljen e ciklit të Bashës. “Basha e ka mbyllur ciklin e tij që para dy vjetësh, por qeveria Rama ka marrë plagë të mëdha gjatë kësaj kohe” tha Imami, i cili shtoi se krijimi i një qeveri e tranzitore është e nevojshme për të na çuar në zgjedhje reale dhe zgjidhje të krizës. Një qeveri e madhe ku PS dhe PD ndajnë pushtetet ka për të dështuar ashtu si ka ndodhur edhe më herët dhe kjo nuk është e shëndetshme as për demokracinë dhe as për vetë PD tha Imami për Sokol Ballën nga studio e Real Story në Vizion Plus.

Të kërkosh qeveri tranzitore duhet të imponohesh. Jo të imponohesh me dhunë, por me prezencë politike. Për mua Basha e ka mbyllur si cikël, është me 2 vjet vonesë për tu tërhequr. Më duket e panevojshme dhënia e kohës. Ai i ka humbur tre palë zgjedhje 2015, 2017 dhe 30 qershorin. Nuk do të iki Edi Rama nëse nuk forcohet PD, është e pamundur. Nëse nuk do të kemi një politikë dhe përpjekje që nga brenda partive për tu ulur për të diskutuar me kundërshtarin, duke diskutuar për reformën në drejtësi, kjo është hapi i parë drejt një qeverie tranzitore. Por që të qeverisim bashkë dhe t’i ndajmë punët bashkë, kjo nuk është demokraci dhe nuk është e shëndetshme as për vendin dhe as për PD. Duhet një qeveri tranzitore, por jo një qeveri e madhe ku PS dhe PD të qeverisin së bashku. Kjo është parë që ka dështuar. Rama nuk mund të qeverisë më pas këtyre plagëve të rënda që ka marrë, pasi PS dhe qeveria është në një ngërç të madh. Ndërsa PD duhet të ringrihet.”– tha Imami në Real Story

Imami në Real Story: Basha i ka ditur përgjimet para marrëveshjes së 2017

Arben Imami, nga studio e Real Story i Sokol Ballës,  ka bërë një deklaratë të fortë duke thënë se Basha i ka ditur përgjimet para marrëveshjes së 2017. Imami tha se Basha dosjen e Durrësit e ka pasur të zbardhur, por ka pasur dijeni edhe për çështjet në Dibër. Opozita është duke kërkuar largimin e kryeministrit Rama pasi e akuzon si qeveri të krimit që ka ardhur në pushtet me vota të vjedhura, ndërkohë që një nga themeluesit e PD thotë se Basha i ka pasur që në kohën që ka qenë në çadër këto përgjime, para arritjes së marrëveshjes mes tij dhe Ramës në 2017.  Përgjimet e publikuara nga Bild,  është një nga arsyet se pse opozita është duke protestuar prej 5 muajsh dhe refuzoi të marrë pjesë në zgjedhje, pasi kërkon të dënohen vjedhësit e votës së lirë dhe të ndershme.

Një pjesë të përgjimeve i ka ditur Basha. I ka ditur atë përgjime para majit. E di që ka pasur përgjime problematike, por e di në parim, çështjet që janë publikuar të Dibrës. E ka thënë në çadër. Kurse të Durrësit, sipas informacioneve që unë kam dosjen e Durrësit e ka pasur të zbardhur. Unë i kam marrë vesh para një viti e gjysëm, pasi i kam shkëputur marrëdhëniet me të. Unë e di që Basha ka marrë një person në telefon e i ka thënë që kam një dosje. E ka pyetur se çfarë u bë me dosjen, i ka thënë e kam humbur” – tha Imami në Real Story

Imami në Real Story: Nuk iku Rama, iku PD. Basha i dinte përgjimet që para “17 majit”

Arben Imami, një nga themeluesit e Partisë Demokratike ka deklaruar në studion e Real Story të Sokol Ballës në Vizion Plus se opozita me aksionin “Rama ik” nuk iku Rama, por iku vetë Partia Demokratike, pasi sot nuk është as në parlament dhe as bashkitë nuk i ka më. Ai i ka dhënë të drejtë Jozefina Topallit, e cila tha se PD për herë të parë ngeli pa asnjë lloj përfaqësimi. Imami foli edhe për debatet brenda Partisë Demokratike, pas dështimit të protestave 5 mujore, duke mos arritur qëllimin final të saj, “largimin e Ramës”, ndërsa theksoi se Lulzim Basha një pjesë të përgjimeve i ka pasur para marrëveshjes së 17 majit.

“Pas këtij aksioni opozitar 5 mujor është e arsyeshme që të bëhet një moment reflektimi dhe të shihen konkluzione dhe përfundimet mbi situatën që kaloi dhe mbi atë që ndodhen aktualisht. Protestat nuk dhanë rezultate. Për të gjykuar një veprim nëse është i mirë apo i keq, duhet që qëllimi të jetë i mirë, mjetet të jenë të mira dhe rezultati të jetë i mirë. Nëse një nuk qëndron, vihet në pikëpyetje. Qëllimet ishin të mira, mjetet ishin të diskutueshme, por rezultati ishte i gabuar dhe problematik. Jozefina kishte të drejtë. Rezultati nuk ishte i mirë dhe nuk mund të thuash që fituam. PD ngeli pa përfaqësim si në parlament ashtu edhe në bashki. Para se të ikte Edi Rama, duhet thënë se është një parti jashtë institucioneve, pra ka ikur vetë PD”, tha Imami, një nga themeluesit e Partisë Demokratike me një histori ulje ngritjesh, largimesh dhe rikthimesh, në Partinë Demokratike, derisa kryetar i saj u zgjodh Lulzim Basha, dhe ashtu si Jozefina Topalli, ai nuk u fut në listat për deputetë.

Por për këtë rezultat zhgënjyes pas pesë muajsh protesta, Arben Imami ka emrin e një përgjegjësi. “Përgjegjësia është e Bashës, duhet të çmonte nëse e realizonte këtë aksion, apo nuk e realizonte. Askush nuk ka licencë të shuajë Partinë Demokratike. PD është një vlerë kombëtare dhe nuk mund dhe nuk duhet të shuhet”, deklaroi Imami përballë Sokol Ballës. Arben Imami nuk ka lënë pa komentuar edhe qëndrimin e ndërkombëtarëve, sidomos SHBA-ve, që sipas tij janë shumë domethënëse sidomos për Partinë Demokratike, pavarësisht se sipas tij, kjo forcë ka gati dy vite që i ka shkëputur marrëdhëniet me SHBA prej gati dy vitesh. Duke iu referuar qëndrimit të Palmer, Imami tha se po të kishte hyrë Partia Demokratike në listën e organizatave të dhunshme do të ishte një turp, ndërsa theksoi se ka dy vite e gjysmë që Donald Trump  ndodhet në Zyrën  Ovale dhe për dy vite e gjysmë, nuk ka asnjë mesazh pozitiv për Partine  Demokratike. “Për të hyrë në një listë të tillë është shumë e thjeshtë, por për të dalë prej aty është shumë e vështirë”, u shpreh ai, ndërsa shtoi se përgjegjësi nuk ka vetëm ai për këtë situatë në PD, por kanë të gjithë drejtuesit, megjithëse sipas tij, përgjegjësitë për të marrë vendimin e ka Lulzim Basha. “Edhe vendimi i çadrës është vendimi i tij. Përgjegjësia është e Lulzim Bashës dhe duhet të mbajë përgjegjësi. Por Basha ka dëshmuar se ai nuk  është tipi i personit që mban përgjegjësi dhe që nuk di të reflektojë”, u shpreh Arben Imami.

Ish themeluesi i PD, nga studio e Real Story të Sokol Ballës, ka bërë edhe një deklaratë të fortë, duke thënë se Basha i ka ditur përgjimet para marrëveshjes së 17 majit në vitin 2017. “Një pjesë të përgjimeve i ka ditur Basha. I ka ditur ato përgjime para marrëveshjes së 17 majit. Unë e di që ka pasur përgjime problematike, por e di në parim, çështjet që janë publikuar të Dibrës. E ka thënë në çadër. Kurse rastin e Durrësit, sipas informacioneve që unë kam, dosjen e Durrësit e ka pasur të zbardhur. Unë i kam marrë vesh para një viti e gjysmë, pasi i kam shkëputur marrëdhëniet me të. Unë e di që Basha ka marrë një person në telefon e i ka thënë që kam një dosje. E ka pyetur se çfarë u bë me dosjen, i ka thënë e kam humbur”, tha Imami në Real Story.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit Sokol Balla nëse ky ekip që drejton PD është i duhuri, Imami tha se Basha nuk ka pasur dhe nuk ka ekip. “Njerëzit që mori në bashki, i vuri në parti dhe asnjë nga njerëzit e partisë nuk i çoi as në parlament dhe asgjëkund tjetër. Këtu bëhet fjalë për zotin Basha dhe asnjë tjetër. Nëse një parti duhet të jetë fitimtare, ka vetëm një rrugë, rrugën që zgjodhi Berisha në vitet 2001-2005, i cili thirri kundërshtarët më të përbetuar të tij për të çuar partinë në fitore”, tha Imami, duke shtuar se nëse analizohet drejtimi i Bashës, humbja në vitin 2013 ishte e thellë. Sipas tij, nëse nuk ka reflektim nuk ka vazhdimësi. “Basha ka humbur tre palë zgjedhje, pas tre palë zgjedhjesh, logjika të çon se humb dhe të katërtën”. Në këtë argumentim ka ndërhyrë analisti Alfred Lela, duke thënë se Basha nuk ka humbur tre palë zgjedhje, por dy palë, në vitin 2015 dhe vitin 2017. “Edhe në vitin 2019”, – tha Imami, ndërsa me ironi shtoi – “apo nuk e quajnë këtë”.

Ndërsa sa i përket kushteve të vendosura nga opozita për dorëheqjen e kryeministrit, Imami tha se PD duhet të heqë dorë nga kushtet e vendosura dhe të ulet për të dialoguar me kundërshtarin. “Ne jemi ulur me Ramiz Alinë, kemi diskutuar, nuk kemi rënë dakord, kemi vazhduar përpara. Pra me kundërshtarin duhet të ulesh, mund të mos e respektosh qëndrimin, por duhet të dialogësh”, tha Imami, ndërsa shtoi se sigurisht nuk duhet të pranojë qeveri të përbashkët siç bëri me marrëveshjen e 17 majit. Në këtë kontekst, Imami ka zbuluar dhe arsyen që sipas tij, nuk ishte në listat e PD për deputet. “Sigurisht që jam kundër qeverisë së përbashkët të PS-së me PD-në, prandaj jam jashtë parlamentit. Nuk mund të ulësh të qeverisësh me kundërshtarin. Me këtë nuk dua të them se nuk duhet të ketë marrëveshje dhe qeveri transitore. Qeveritë e mëdha dy herë është provuar dhe për mendimin tim, dy herë kanë dështuar. Të krijohen kushtet, të bëhet reforma zgjedhore dhe të bëhen zgjedhjet, pasi Edi Rama nuk mund të qeverisë më. Sigurisht PD edhe mund shuhet nga kjo, shpresoj që ajo dhe mendoj që jo”, u shpreh Imami në Real Story.

Arben Imami, sonte në Real Story (në vend të Metës). Balla: Për Presidentin do kem vetëm një pyetje…

Arben Imami ish themeluesi i PD-së, është sonte i ftuari i Sokol Ballës në studion e Real Story, ora 21.00 në Vizion Plus.

Arben Imami është themelues i PD-së në dhjetor 1990. Por është edhe njeriu që u rrah prej Berishës në vitin ’96, u shkëput për disa vite dhe më pas u rikthye sërish në PD në vitin 2005 me krijimin e KOP-it të famshëm.

Për disa vite në qeverinë Berisha mbajti postin e Ministrit të Mbrojtes. Por kur Basha në maj 2017 e përjashtoi nga lista e deputetëve, Imami bashkë me Topallin dolën kundër tij në kulm të fushatës.

Intervista e Imamit në Real Story vjen vetëm pak ditë pas mesazhit të Jozefina Topallit kundër Bashës.

Pas zgjedhjeve të 30 qershorit ajo e cilësoi aksionin e Bashës të dështuar. Çfarë mendon Imami për situatën në PD? A duhet të rikthehet PD në sistem apo do të vazhdojë rrugën e Bashës? A mundet Basha të dalë fitimtar në zgjedhjet e ardhshme dhe a do të jetë Imami pjesë e një aksioni për ringritjen e PD-së? Për këto dhe për shumë pyetje të tjera, ndiqni intervistën e Arben Imamit, sonte në Real Story ora: 21:00 në Vizion Plus.

Imami në vend të Metës

Ndërkohë prej dy ditësh Sokol Balla kishte ftuar Presidentin e Republikës, pasi Ilir Meta gjatë sulmit personal që i bëri atij dhe familjarëve të tij, në fund e sfidoi Ballën ta ftonte në emision “së bashku me miqtë e tij amerikanë, me Edi Ramën dhe zonjën Calavera”, për tu përballur për Reformën në Drejtësi. Balla e pranoi kërkesën dhe e ftoi publikisht Presidentin të vinte në Real Story të enjten. Por nga Presidenca nuk pati asnjë përgjigje. Stafi i Real Story kontaktoi të mërkurën stafin e Presidentit, por prej tyre morën përgjigje se nuk kishin marrë asnjë sinjal nga Ilir Meta se ai do të shkonte të enjten në studion e Real Story. I kontaktuar nga realstory.al, Sokol Balla tha se në këto kushte i duhej të përgatiste një tjetër emision. Por ai thotë se nëse Presidenti ndryshon mendje edhe në minutë të fundit, ai do jetë i mirëpritur. “Kisha përgatitur disa pyetje për Presidentin që besoj kishin interes për opinionin publik, që lidhen me funksionimin e rolit të Presidentit gjatë kësaj krize dhe asnjë pyetje me sfond personal”, thotë Balla, i cili u sulmua personalisht dhe iu përmendën fëmijët thuajse me një mesazh kërcënues nga kreu i shtetit. “Gjithsesi për një nga pyetjet, e kam gjetur përgjigjen nga vetë Meta, në një intervistë dhënë për një televizion rus. Këtë pyetje dhe përgjigjen do t’i transmetoj sot në fillim të programit”, thotë Balla.

Skip to toolbar