Erdhi për Influencën Ruse, Kostelançik shmang Metën

AKTUALITET


Zyrtari i Lartë i Departamentit të Shtetit në Amerikë, David Kostelancik, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në vendin tonë këtë të mërkurë. Paraditen e kësaj të marte, është zbardhur dhe axhenda e Kostelancik, i cili do t`i nisë takimet e tij në Shqipëri me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi në orën 11:00. Drejtori për Europën Qendrore dhe Jugore në DASH, David Kostelancik, takimin e dytë do ta ketë me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha në orën 14:00, ndërsa pas tij në orën 15:30 do të zhvillojë një takim me kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi. Takimi i fundit i planifikuar në axhendën e zyrtarit të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, është ai me Kryeministrin Edi Rama në orën 17:00 të pasdites.

Këto janë katër takimet zyrtare të planifikuara të Drejtorit për Europën Qendrore dhe Jugore në DASH, David Kostelancik. Qëllimi kryesor i vizitës së Kostelancik në Tiranë është influenca ruse në Shqipëri. SHBA ka shprehur këtë shqetësim kohët e fundit, pas publikimit të dokumenteve që implikojnë Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën, se kanë përdorur para ruse për të lobuar në SHBA. Për këtë çështje nga organet e drejtësisë shqiptare ka nisur një hetim. Por influenca ruse nuk lidhet vetëm me paratë e lobimit të Bashës.

Presidenti i Republikës Ilir Meta është ‘marrë’ në mbrojtje nga Ambasada e Rusisë në Tiranë pak kohë më parë, kur kreu i shtetit nisi të sulmonte reformën në drejtësi dhe filantropin George Soros. Ndërkohë, portali rusë, ‘regnum.ru’ ka pasqyruar çdo deklaratë të Ilir Metës gjatë dy muajve të fundit. Por ndryshe nga takimi i parashikuar me Bashën, Zyrtari i Lartë i DASH, të paktën nga axhenda e bërë publike, nuk ka parashikuar një takim me Ilir Metën.

Realstory.al mësoi se të paktën deri paraditen e të mërkurës, nuk është parashikuar një takim midis David Kostelancik dhe Ilir Metës. Nuk dihet ende pse Zyrtari i DASH, që ka parashikuar takime me drejtuesit kryesor politikë në vend, mazhorancës dhe opozitës, ka shmangur një takim me kreun e shtetit. Megjithatë, vlen të kujtohet, se Ilir Meta, prej muajit qershor dhe deri tani, si kreu i shtetit, ka sulmuar në mënyrë të vazhdueshme dhe të paprecedentë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndikimin e tyre në vendin tonë./Realstory.al/



Skip to toolbar