Influenca ruse sjell në Tiranë zyrtarin e lartë të DASH

AKTUALITET


Frika për influencën ruse në Ballkanin Perëndimor, të paralajmëruar, jo vetëm nga SHBA, por edhe nga BE, do të sjellë në Tiranë një të dërguar special nga Departamenti i Shtetit. Drejtori për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Kostelancik, do të jetë këtë javë në Tiranë, ku do të zhvillojë takime me përfaqësuesit e lartë të shtetit shqiptar.

Vizita e tij ndodh në një moment kyç të vendit tonë, pikërisht pak javë para vendimit për negociatat me BE, por edhe në kohën kur kriza ka mbërthyer klasën politike, ndërkohë që kreu i opozitës, Lulzim Basha, është vënë nën akuzë nga prokuroria shqiptare për pastrim parash dhe falsifikim dokumentesh për paratë e përdorura për të lobuar në SHBA për të cilën po hetohet edhe nga FBI. Basha akuzohet se ka fshehur financimin prej 650 mijë dollarëve në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017. Prokuroria deklaron se njëra nga këto pagesa rezulton të jetë bërë nga “Biniatta Trade”, që rezulton një kompani fantazmë, e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe është në pronësi të rusëve dhe pjesë e një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belize, një shtet i Amerikës Qendrore i njohur si “parajsë fiskale”.

Megjithatë, ky nuk është shqetësimi i vetëm për influencën ruse në Ballkanin Perëndimor, e sidomos në Shqipëri, duke parë edhe zhvillimet e fundit në vend, ku mediat ruse i kanë bërë jehonë deklaratave të kreut të shtetit, Ilir Meta kundër amerikanëve dhe reformës në drejtësi. Një prej tyre ka qenë portali rus regnum.ru i cili ka pasqyruar çdo deklaratë të presidentit shqiptar gjatë dy muajve të fundit. Vetëm dy ditë më herët portali ka pasqyruar sulmin e presidentit Meta kundër asaj që ai e cilëson si “Ramaforma” dhe që akuzon kryeministrin që së bashku me amerikanët kanë penguar hedhjen e shortit për KED-në dhe zgjedhjen e anëtarëve të gjykatës kushtetuese.

Duke marrë shkas nga këto fakte dhe nisur nga fakti që SHBA është partner strategjik i Shqipërisë prej vitesh, diplomati amerikan pritet të ketë një sërë takimesh me politikën shqiptare. Sipas Vizion Plus, diplomati amerikan do të zhvillojë një takim me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha ditën e enjte, i cili pra është nën akuzë 650 mijë USD, që dyshohet se janë para ruse.

David Kostelancik është një diplomat karriere. Më parë ai ka qenë pjesë e stafit të ambasadës amerikane në Tiranë dhe e njeh shumë mirë situatën politike në Shqipëri, por edhe politikën e rajonit. Influenca ruse ka shqetësuar SHBA dhe BE, jo vetëm për Ballkanin, por edhe për vendet e tjera, anëtare të BE. Para pak kohësh, Merkel deklaroi se paratë ruse po përdoren për financimin e partive populiste, ndërkohë që Ministri italian i Brendshëm Mateo Salvini po përballet së fundi me akuzat se ai ka përfituar financime nga kompani ruse për fushatën zgjedhore, ashtu si Basha në Tiranë. / Realstory.al



Skip to toolbar