Ish-diplomati gjerman: Është e papranueshme moszbatimi i marrëveshjeve nga ana e Kurtit

KOSOVA


Bernd Wulffen, koordinatori i parë i administratës civile në Kosovë në periudhën e pasluftës nga viti 1999 deri në vitin 2000, duke komentuar procesin e bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka theksuar se dyja palët duhet t’u përmbahen marrëveshjeve të cilat janë derivat i procesit mbi 10 vjeçar dialogues.

Ish-diplomati gjerman, i cili ka shërbyer edhe si ambasador i Gjermanisë në Kubë, gjatë një interviste për DW ka fajësuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për mos-përmbushje të marrëveshjeve, sidomos, atë të cilën, Wulffen, e ka quajtur “përfaqësimi i serbëve nga Veriu i Kosovës”, duke aluduar për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Kjo është e papranueshme. Bashkimi Evropian duhet të jetë i vendosur këtu dhe të insistojë në këtë marrëveshje. Ky është një simbol i rëndësishëm për serbët”, ka thënë Wulffen.

Duke folur për idenë e shkëmbimit të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë, i cili artikulua vite më parë, Wulffen thekson se ky opsion mund të shkaktojë një ortek.

“Shkëmbimet territoriale mund të tërheqin zona të tjera në konflikt, gjë që mund të kërcënojë stabilitetin politik të Ballkanit Perëndimor. Kjo është arsyeja pse unë këshilloj të braktiset kjo ide”.

Diplomati gjerman thekson se në këtë fazë Bashkimi Evropian duhet të jetë i durueshëm dhe të vazhdojë praninë e saj në Ballkanin Perëndimorë.

“Lufta e Ukrainës e ka vonuar deri diku procesin, por nëse Putini bie në plan të dytë, me disa politikanë në Ballkan si Vuçiq, do të hapet hapësira për BE-në”.



Skip to toolbar