Italia hyn në “zonën e kuqe”, në shtetrrethim për festa

CORONAVIRUS


Italia do t’i festojë si kurrë më parë Krishtlindjet dhe Vitin e Ri duke hyrë në “zonën e kuqe” të masave anti-Covid. Mediat vendase raportojnë së Italia do të ketë masa të rrepta kufizuese të “zonës së kuqe” në datat nga 24 deri më 27 dhjetor si dhe nga 1 deri më 6 janar.

Por çfarë kufizohet konkretisht?


Rregullat prekin të gjithë territorin dhe çdo lëvizje brenda dhe jashtë vendit, si dhe midis rajoneve, qyteteve dhe komunave do të ndalohet, përveç se kur bëhet fjalë për arsye pune ose shëndetësore. Gjithmonë do të lejohet kthimi në shtëpi ose vendbanim.

Të hapura do të jenë ushqimoret dhe supermarketet, përveç ditës së Krishtlindjeve dhe ditës së Vitit të Ri. Të hapura do të jenë edhe farmacitë dhe parukeritë , ndërsa qendrat tregtare janë të mbyllura.

Ndërkaq, Italia do të kalojë në “zonë portokalli” në datat mes dy festave 28-30 dhe 4 janar. Krahasuar me “zonën e kuqe”, “zona portokalli” ka dy ndryshime kryesore: dyqanet janë të hapura dhe lejohet gjithmonë të lëvizin brenda komunës së vendbanimit.

Sidoqoftë, dekreti paraqet një rregull në favor të bashkive të vogla: në fakt, udhëtimet nga vendet me një popullsi që nuk i kalon 5 mijë banorë lejohen për një distancë deri në 30 kilometra “me përjashtimin në çdo rast të udhëtimit në kryeqytetet e rajoneve”.

Kufizime do të ketë gjithashtu edhe për bashkimet mes familjeve për darkat e festave.




Skip to toolbar