Kryetarja e Bashkisë së Durrësit dha dorëheqjen mëngjesin e të dielës. Ajo njoftoi në rrjetet sociale se jep dorëheqjen nga posti që mban, për shkak të reagimit negativ të publikut lidhur me një prononcim të saj për dëmet e tërmetit.
“E lënduar nga reagimi i madh negativ ndaj një prononcimi që bëra, nën një stres që i kalon fuqitë e mia, jap dorëheqjen nga detyra e Kryetares së Bashkisë Durrës. Falenderoj nga zemra të gjithë ata që më besuan dhe shpresoj në mirëkuptimin e të gjithëve”, shkruan Sako.
Gjatë një deklarate për mediat pak ditë më parë, teksa po fliste për dëmet e tërmetit, Valbona Sako bëri një lapsus ku deklaroi se: “ndihej e kënaqur me 50 viktima”. Ndonëse ajo bëri një sqarim publik për lapsusin, duket se komentet e shumta të njerëzve në rrjetet sociale e kanë detyruar të japë dorëheqjen nga bashkia e Durrësit.