“Jam e kënaqur me 50 viktima”, Valbona Sako jep dorëheqjen nga bashkia e Durrësit

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit dha dorëheqjen mëngjesin e të dielës. Ajo njoftoi në rrjetet sociale se jep dorëheqjen nga posti që mban, për shkak të reagimit negativ të publikut lidhur me një prononcim të saj për dëmet e tërmetit.

“E lënduar nga reagimi i madh negativ ndaj një prononcimi që bëra, nën një stres që i kalon fuqitë e mia, jap dorëheqjen nga detyra e Kryetares së Bashkisë Durrës. Falenderoj nga zemra të gjithë ata që më besuan dhe shpresoj në mirëkuptimin e të gjithëve”, shkruan Sako.

Gjatë një deklarate për mediat pak ditë më parë, teksa po fliste për dëmet e tërmetit, Valbona Sako bëri një lapsus ku deklaroi se: “ndihej e kënaqur me 50 viktima”. Ndonëse ajo bëri një sqarim publik për lapsusin, duket se komentet e shumta të njerëzve në rrjetet sociale e kanë detyruar të japë dorëheqjen nga bashkia e Durrësit.

Mandati i Sakos trishton Kryemadhin: Ra siguria juridike

Monika Kryemadhi ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Durrësit, që i dha mandatin kryetares së bashkisë së zgjedhur më 30 qershor Valbona Sako. Kryemadhi është shperhur se me vendimin e të premtes, “ra siguria juridike e një vendimi gjykatë”. Sipas kryetares së LSI, ky vendim tregon edhe rrugën se ku po shkon Reforma në Drejtësi. “Vendimi i Gjykatës së Durrësit, tregon ku po na çon ‘Rilindja’ e Reformës në Drejtësi. Absurdi i sotëm duhet të futet në librat e jurispudencës”, është shprehur Kryemadhi.

Një ditë më parë, Monika Kryemadhi e përshëndeti vendimin e Gjykatës së Durrësit, që nuk i dha mandatin Valbona Sakos. Ndërkohë, vendimi i të premtes, duket se i ka prishur ‘festën’ e parakohshme kryetares së LSI, por dhe kreut të PD, Lulzim Basha, që reagoi gjatë ditës duke akuzuar se “drejtësia është e kapur nga qeveria”.

Ndërkohë, të enjten Realstory.al paralajmëroi se si opozita po ndjek rrugët ligjore, atë që thanë ndërkombëtarët, për të bërë të pavlefshëm, sipas tyre, zgjedhjet e 30 qershorit. Në shkrimin e publikuar një ditë më parë, Realstory.al theksohet fakti se opozita po shfrytëzon hapësirat dhe vakumet e reformës në drejtësi dhe dekretet presidenciale, si një mjet justifikimi para ndërkombëtarëve, për t`u thënë atyre “se po ndjekim këshillën tuaj”, duke i kontestuar zgjedhjet në rrugë institucionale. (Lexo shkrimin e Realstory.al).

PS ndryshon taktikë me kërkesë të re, Gjykata njeh mandatin e Durrësit

Kryebashkiakja e zgjedhur e Durrësit, Valbona Sako ka arritur të marrë njohjen e mandatit nga Gjykata e Durësit, duke ndryshuar taktikë me një kërkesë të re, që ia ka drejtuar kësaj gjykate. Në kërkesën e parë, Sako kishte kërkuar “verifikim mandati”, ndryshe nga kryetarët e tjerë të zgjedhur nga 30 qershori, të cilët kanë kërkuar vetëm “vërtetim mandati”, veprim i cili u është njohur nga gjykata, ashtu siç iu njoh edhe kryebashkiakes Sako pas kërkesës së dytë të bërë në Gjykatën e Durrësit.

Në kërkesën e parë, Valbona Sako kishte kërkuar verifikim mandati dhe të mërkurën gjyqtarja Mimoza Margjeka rrëzoi kërkesën e saj, duke refuzuar njohjen si kryebashkiake e Durrësit dhe duke argumentuar se zgjedhjet e 30 qershorit janë nul për shkak se Bindja Demokratike është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor jashtë afateve të parashikuara në ligj.

Por Partia Socialiste vendosi t’i drejtohet sërish Gjykatës së Shkallës së Parë në Durrës për njohjen e mandatit të kryebashkiakes socialiste, duke korrigjuar “gabimin” në kërkesën e parë. Të enjten, Sako iu drejtua gjykatës së Durrësit me kërkesën “vërtetim mandati” dhe të premten gjyqtari Shpëtim Reka ka njohur mandatin e Sakos, duke pranuar vërtetimin e mandatit të kryebashkiakes fituese në zgjedhjet e 30 qershorit, Valbona Sako.

Megjithatë, kjo nuk e mbyll kapitullin e hapur nga gjyqtarja Margjeka, e cila ka dhënë një vendim kundër Sakos, për shkak të argumenteve të dhëna për regjistrimin e Bindjes Demokratike, të paktën për ato bashki, ku ka kandiduar kjo forcë politike. Për këtë arsye, Sako ka deklaruar se ka bërë gati të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të apeluar vendimin e gjykatës së shkallës së parë të dhënë nga gjyqtarja Mimoza Margjeka. “Nuk do të tërhiqem nga rruga ime, mandatin e kam fituar me mund”, u shpreh Sako.

Veprimi i ndërmarrë nga kryebashkiakët e zgjedhur nga 30 qershori nuk është përdorur në zgjedhjet të mëparshme, por ky veprim duket se është ndërmarrë nga mazhoranca për të blinduar rezultatin e 30 qershorit, duke marrë shkas nga deklaratat e bashiakëve të djathtë, të cilët janë shprehur se nuk do të lirojnë zyrat. Me njohjen e zgjedhjeve nga gjykata, kryebashkiakët e rinj që hasin pengesa në lirimin e zyrave të bashkive, zgjidhin çështjen e përplasjeve politike, pasi lehtësisht ata mund të nxjerrin një urdhër ekzekutimi për “lirim zyre” dhe vihet në veprim zyra përmbarimore për të larguar punonjësit që refuzojnë të lëshojnë bashkitë.

Dy ditë më parë gjykata e Durrësit, refuzoi t’i japë mandati Valbona Sakos si kryetare e re e Bashkisë së Durrësit.

Në vendim gjykata e Durrësit argumentoi se procesi zgjedhor i 30 qershorit nuk është i ligjshëm, pasi partia “Bindja Demokratike” është regjistruar jashtë afatit zyrtar, duke i bërë zgjedhjet nul.

Balla: Gjykata shkeli ligjin në Durrës, mandatin e jep KQZ

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar pasditen e të mërkurës, pas vendimit të Gjykatës së Durrësit, për të mos njohur mandatin e të zgjedhurës në krye të bashkisë së këtij qyteti Valbona Sako. Balla ka shprehur indinjatën për këtë akt të gjyqtares së Durrësit, duke u shprehur se ajo ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin.

“Keqardhje për vendimin absurd, arbitrar dhe nul të një gjyqtareje, e cila mori brohoritjet e atyre qe në vijim të përpjekjes se deshpëruar per kaos e pasiguri, nuk dinë më çfarë bëjnë. Pavarësisht kesaj lajthitjeje anti-ligjore dhe anti-logjike të radhës, në respekt të vullnetit të popullit, çdo kryetar i sapo zgjedhur pas shpalljes së vendimit vetëm nga KQZ apo Kolegji Zgjedhor do ta marrë detyrën, do ta ushtrojë dhe do të japë llogari përpara Këshillit Bashkiak sikurse ligji e parashikon”.

“Nuk ishte parë e dëgjuar në gjithë këto vite që një vërtetim i thjeshtë fakti të refuzohet duke dalë hapur në shkelje flagrante të ligjit mbi një vendim të formës së prerë. Në Shqipëri sipas Kodit Zgjedhor mandatet e të zgjedhurve i jep vetëm KQZ dhe Kolegji Zgjedhor. Dhe vendimet e Kolegjit Zgjedhor janë përfundimtare dhe të pa-ankimueshme. Sidoqoftë me keqardhje për ata që kanë humbur rrugën e arsyes, ne mbetemi të qetë dhe të vendosur në rrugën e hapur nga populli më 30 Qershor”, shkruan Balla.

Vendimi i Gjykatës së Durrësit për të mos njohur mandatin e Valbona Sakos, është përshëndetur nga drejtuesit e opozitës. Basha dhe Kryemadhi e kanë lexuar këtë si një fitore të tyre, duke kërkuar hetim penal për anëtarët e KQZ-së, që sipas tyre kanë shpërdoruar detyrën me mbajtjen e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Por, vendimi i Gjykatës së Durrësit ishte në kundërshtim me vendimin e të tjera gjykatave  në vend, si psh, asaj të Korçës, që njohu Erion Isain si kryetar të Bashkisë Kolonjë, pavarësisht se në këtë bashki kandidonte dhe një tjetër person nga radhët e Bindjes Demokratike.

Thënë kjo, pasi në vendimin e Gjykatës së Durrësit, argumenti i vetëm për refuzimin e mandatit të Valbona Sakos, ishte pikërisht ‘regjistrimi i Bindjes Demokratike’ jashtë fateve ligjore për pjesëmarrjen në zgjedhje. Ndërkohë, Gjykata e Tiranës ka shpallur moskompetencë për të gjykuar kërkesën njohjes së mandatit, e bërë nga kandidati fitues i PS në Vorë në zgjedhjet e 30 qershorit.

Tashmë, pritet me interes një tjetër vendim i Gjykatës së Tiranës, e cila do të duhet që në ditët në vijim të gjykojë mandatin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili dorëzoi kërkesën për njohjen e mandatit nga Gjykata e Tiranës këtë të mërkurë.

Mandati Sakos, Kryemadhi: Hetim ndaj KQZ

Monika Kryemadhi ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Durrësit për të cilësuar të pavlefshëm mandatin e bashkiakes së zgjedhur në 30 qershor, Valbona Sako. Kryemadhi e ka cilësuar këtë si “pavlefshmëri absolute” të zgjedhjeve, duke akuzuar KQZ se ka shpërdoruar detyrën. “Nul! Pavlefshmëri absolute! Thjesht e saktë pa tambure politike. Vendimi i Gjykatës së Durrësit vetëm teknikisht tregoi se që në krye të herës, që në hapin e saj të parë procedural e administrativ, atë të regjistrimit të subjekteve zgjedhore KQZ ka shkelur hapur Kodin Zgjedhor dhe ligjin për partitë politike, dhe gjithë veprimtaria e vendimmarrja e saj rezulton në shkelje të hapur të Kodit të Procedurave Administrative”, shkruan Kryemadhi.

Më tej, shefja e LSI, i kërkon Arta Markut që të fillojë menjëherë çështjen penale ndaj anëtarëve të KQZ për “Shpërdorim detyre”. “Që pas këtij momenti çdo vendim i KQZ është nul. Pavlefshmëria absolute e aktit administrativ sjell pavlefshmëri absolute të të gjithë procesit në vijim. Gjithçka konsiderohet nul. A mund të diskutohet tani mbi diçka që nuk ka sjellë asnjë pasojë juridike?? Nul i gjithë procesi. Zgjedhje nuk ka patur. E vetmja pyetje tani që mbetet të bëhet është: Kush do të mbajë përgjegjësi tani për të gjithë dëmin ekonomik, juridik, moral, të krijuar nga veprimtaria e paligjshme e KQZ? I bëj thirrje Prokurores së Përkohshme të fillojë menjëherë çështjen penale për “Shpërdorim detyre” në ngarkim të anëtarëve të KQZ”, shkruan Kryemadhi.

Skip to toolbar