Detaje të reja zbardhen nga hetimet për atentatin mafioz në drejtim të prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja dhe dy personave të tjerë që ndodheshin në makinë, shoferi Andi Maloku dhe miku i tij Aleksandër Laho, person me precedent penal i njohur dhe me nofkën “Rrumi”.
Nga analizimi i armëve të gjetura në makinën e autorëve të braktisur në Shkafanë të Ishmit, u pa se ka një përputhje të madhe me armët e përdorura në vendngjarje ku u qëllua ndaj prokurorit Ndoja. Ekspertët balistik thanë se ka përputhje të lartë ndërmjet gëzhojave të gjetura në vendin e atentatit dhe armëve të sekuestruara në automjetin e braktisur nga autorët në Ishëm. Madje është bërë edhe një krahasim i dytë për të hequr çdo dyshim duke analizuar përputhshmërinë e gjilpërës së automatikut Kallashnikov model 56 dhe shenjës së lënë në kapsollën e gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes. Sipas ABC News, policia ka kryer edhe analizimin e gjurmëve papilare që janë gjetur në shishen e benzinës, me të cilën do të digjnin mjetin, por edhe fijeve të flokut të gjetura në makinë, në maskat e përdorura etj.
Nëpërmjet analizave të AND-së, Laboratori i Policisë Shkencore do bëjë një krahasim edhe me arkivat e Interpolit, për profilin gjenetik të autorëve, të cilët mund të rezultojnë të dënuar në vendet e Bashkimit Europian.
Makina “Mercedes Benz” me targa AA 342 LM ishte vjedhur në Tiranë dy javë më parë, dhe është burimi i provave më të mëdha për prokurorët, ku fatmirësisht autorët nuk arritën dot në kohë t’i shkatërronin.