Kancelari Friedrich Merz bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në enklavën e rrethuar, ndërkohë që këtë javë numri i të vdekurve atje e tejkaloi shifrën prej 58,000 vetë.
Merz bëri gjithashtu thirrje për më shumë ndihmë humanitare për njerëzit në Gazë, gjë që është penguar fort nga vendimi i Izraelit për t’i nxjerrë të gjitha programet ndërkombëtare të ndihmës ngaRripi i Gazës dhe për të lejuar vetëm Fondacionin Humanitar të Gazës (GHF). GHF është një organizatë shumë e diskutueshme, e drejtuar nga SHBA dhe e mbështetur nga Izraeli, të cilin kritikët e kanë quajtur një kurth cinik vdekjeprurës për banorët e dëshpëruar të Gazës që kërkojnë të gjejnë ushqim për familjet e tyre.
Kancelari Merz tha se është në kontakt të rregullt me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu dhe se ka ofruar të rrisë ndihmat gjermane për Rripin e Gazës.
Gjermania: Mbështetëse e fortë e Izraelit
Kancelari Merz vuri në dukje gjithashtu se qeveria e tij “nuk e mbështet” politikën e Izraelit për ngulimet, duke shtuar se e kishte shprehur qartë këtë edhe në telefonatat e tij me Netanjahun.“Është e qartë se ku jemi. Ne po bëjmë gjithçka mundemi për të qenë të drejtë kundrejt të dyja palëve [Izraelit dhe palestinezëve në Gaza]”, tha Merz, duke vënë në dukje se “shteti i Izraelit do të pushonte së ekzistuari” nëse nuk do të mbrohej. Në të njëjtën kohë Merz tha: “Ne i shohim vuajtjet e popullit palestinez dhe po përpiqemi gjithashtu të bëjmë gjithçka që mundemi për të ofruar ndihmë humanitare”.
