Baze: Kandidati simbol i këtyre zgjedhjeve, është në Tiranë 

Më të fundit


Shqipëria voton të dielë për zgjedhjet më politike në historinë e zgjedhjeve lokale në vend në këto tridhjetë vjet, ku fituesi dhe humbësi është i njohur, dhe nuk maten me bashki të fituara, por me garë brenda tyre.

Socialistët, të cilët vijnë nga një proces zgjedhjesh pa garë më 2019, e kanë sërish garën me vete, pasi duan të mbajnë sa më shumë nga bashkitë që ua dhuroi opozita më 2019, ndërsa dyshja Berisha- Meta duan të marrin monopolin e opozitës duke tentuar të zhdukin nga harta elektorale Partinë Demokratike zyrtare.


Drejtuesit politik të socialistëve në 12 qarqe e kanë garën mes vete, se kush do bjerë në sy, si më i suksesshmi, ndërsa Berisha dhe Meta e kanë garën me Enkelejd Alibeajn, për të provuar se ai nuk u prish dot punë dhe nuk i ndal dot drejt kapjes së opozitës.

Për këtë arsye këto zgjedhje nuk kanë heronj, fitimtarët e bashkive, por fitimtarët e partive.

Heroi real i këtyre zgjedhjeve, është një kandidat, i cili ndoshta mund të renditet i treti në Tiranë. 

Ai është Roland Bejko. 

Ai është heroi i këtyre zgjedhjeve, pasi zhvilloi për 30 ditë një fushatë mbijetuese, duke mos marrë asnjë qindarkë nga buxheti i Partisë Demokratike, edhe për faj të qeverisë që vonoi i dhënien e parave, por dhe për shkak të zellit të njerëzve që mbajnë çelësat e kashtës në atë parti, për ta lënë të vetëm në betejën kundër Sali Berishës.

Me një ekip të ri profesionistësh, kryesishtë pedagogë dhe gazetarë, ai shmangu presionet tribale të Sali Berishës dhe i dha dinjitet Partisë Demokratike në Tiranë, duke rezistuar politikisht në emër të antiberishizmit që po gropos Partinë Demokratike, duke e çuar garën deri në fund.

Sal Berisha dhe Ilir Meta e kishin me atë garën në Tiranë dhe jo me Erion Veliaj. Dhe e humbën qysh në momentin që ai nuk pranoi të tërhiqej duke ua lënë fushën bosh, një dysheje që është në zgjedhje për të pastruar territorin e opozitës dhe per ta kthyer në “tokë të xanun” prej tyre.

Tani nuk ka shumë rëndësi sa për qind të votave merr të dielë Roland Bejko, por ai e ka kryer misionin e tij duke mos ja dorëzuar Tiranën në tepsi, dy njerëzve që nuk meritojnë as Tropojën dhe Skraparin.

Beteja e tij modeste është në fakt beteja simbol e këtyre zgjedhjeve dhe arsyeve përse Berisha dhe Meta po luftojnë. Roland Bejko i dha te drejtën demokratëve të Tiranës të refuzojnë Berishën dhe të kenë një adresë ku do votojnë.

Votat e tij nuk maten sa shumë ka marrë, por sa të pamundur ja ka bërë Berishës të ngrejë kokën. Duke ja ngritur kokën në Tiranë, çdokujt që nuk pranon t’i dorëzojë opozitën, Sali Berishës dhe Ilir Metës. 




Skip to toolbar