Një aksident i rëndë më dy të vdekur dhe të dy plagosur ka ndodhur gjatë të dielës pasdite në afërsi të Cërrikut, ndërsa policia ka vënë në pranga shoferin e automjetit tip Benz, 24 vjeçarin me inicialet A.H.
Aksidenti i rëndë ndodhi në rrugën rurale Mollas-Selitë, tek “Ura e Sharrës”, në afërsi të Cërrikut. 24 vjeçari i cili drejtonte mjetin tip “Benz”, ka goditur një karrocë që tërhiqet nga gomari.
Pasi ka goditur karrocën, makina që drejtohej nga 24-vjeçari ka dalë në krah të kundërt ku është përplasur me mjetin tjetër që vinte përballë.
Si pasojë e përplasjes, mbeten të vdekur Agron Shermadhi 48 vjeç banues në fshatin Lumas, Cërrik, i cili ishte pasagjer në një nga automjetet e përplasur si dhe Agim Menci 50 vjeç i cili drejtonte një karrocë të mbushur me misër që tërhiqej nga një gomar. Po ashtu, në këtë aksident mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë.
Sipas të dhënave paraprake shkak për aksidentin ka qenë karroca me gomar e cila ka dalë nga ara duke i prerë rrugën makinës tip ‘Benz’.
Policia e Elbasanit njofton se materialet lidhur me këtë aksident i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme, ndërsa i arrestuari akuzohet për “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.