Kavaja me skenar si Devolli, PD rrethon bashkinë, Sakja: Nuk iki, zbatoj dekretin

AKTUALITET


Militantët e PD-së në Kavajë kanë rrethuar godinën e Bashkisë dhe ashtu sikurse ndodhi të hënën në Devoll, edhe të martën në Kavajë po ndodh i njëjti skenar, ai i bllokimit të marrjes së zyrës nga kryebashkiaku i ri i Kavajës, i zgjedhur në zgjedhjet e 30 qershorit.

Kryebashkiaku demokrat i Kavajës, i cili nuk mori pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, Isa Sakja shprehet se nuk do ta lirojë zyrën, ndërsa jashtë godinës janë mbledhur mbështetës të opozitës.

Sakja ka dhënë një prononcim të shkurtër për mediat duke u shprehur se ai do të respektojë dekretin e presidentit që është në fuqi, ndërsa thotë se në 30 qershor nuk ka patuar zgjedhje. “Sot do të jem në detyrë. Vazhdoj detyrën, nuk mund të lë bashkinë kur vetëm 5 përqind e qytetareve të Kavajës kanë votuar”.

PS-ja ka vepruar si në rastin e Devollit, ku pavarësisht kundërshtimit të demokratëve, këtë paradite është konstituuar Këshilli Bashkiak i Kavajës, proces i realizuar në zyrat e nënprefekturës. Në Këshillin Bashkiak janë betuar këshilltarët e rinj, që do të marrin detyrën, përkatësisht 29 nga PS, 1 nga G99 dhe 1 nga Partia Socialiste e Moderuar.

Kryebashkiakët e djathtë janë duke zbatuar dokumentin e shpërndarë nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, dokument i cili është publikuar të shtunën nga realstory dhe ku lidershipi i PD-së thotë se do të mbështesë kryebashkiakët e djathtë për të mos liruar zyrat. Në dokument shkruhet se PD nuk mund ta llogarisë sesi do të reagojë populli në këto raste, duke nënkuptuar mbrojtjen me dhunë të godinave të bashkive. Gjatë të hënës nënkryetari i PD-së, Edi Paloka bëri thirrje për dhunë ndaj policisë duke iu referuar situatës në Devoll. Paloka i bënte thirrje njerëzve që të silleshin me policët njëlloj siç duhet të silleshin me një grabitës. Ky është skenari i përgatitur dhe i planifikuar nga lidershipi i PD-së fill pas zgjedhjeve të 30 qershorit.



Skip to toolbar