Pranga shokut, shiti te hasmi Eri Zefin

AKTUALITET


Policia ka arrestuar Mikel (Gjovalin) Alia i cili ishte shpallur në kërkim për vrasjen e Eri Zefit në Mirëditë. Ai është dorëzuar vetë në polici ku i janë vënë prangat. Ai dyshohet si bashkëpunëtor në vrasjen e 34-vjeçarit Eri Zefi pasi ka qenë ai që e ka nxjerrë në pritë shokun e fëmijërisë. Policia do ta marrë në pyetje për të zbuluar se cilët janë autorët e vrasjes së 34-vjeçarit.

Eri Zefi u gjet i vrarë më 2 tetor, në një kanal në fshatin Zallë Xhuxhë të Mirditës. Nga hetimet është zbuluar se Mikel (Gjovalin) Alia, shoku i ngushtë i fëmijërisë së Eri Zefit e ka nxjerrë në pritë 34-vjeçarin duke u paguar nga dy vrasësit të cilët ende janë të paidentifikuar nga policia dhe dyshohet se janë arratisur në drejtim të Kosovës. Eri Zefi që prej muajit shkurt 2019 kishte reduktuar lëvizjet pasi i ruhej një gjakmarrje të mundshme për shkak se vëllai i tij Ndue Zefi vrau fqinjin e tij 45-vjeçarin Martin Ndreca, pas një sherri banal. Si pasojë e kësaj vrasje, Eri Zefi, i ndruhej një hakmarrje të mundshme dhe për këtë ai kishte marrë kërcënime të njëpasnjëshme.  Mendohet se për një shumë parash ende të papërcaktuar, Alia ka pranuar të shesë shokun e tij të ngushtë, duke e nxjerrë nga shtëpia.


Ata kanë udhëtuar në mesnatë në autostradën Durrës-Kukës, dhe sapo kanë mbërritur në fshatin Zallë Xhuxhë, kanë dalë nga rruga duke hyrë rreth 50 metra në një terren malor, ku kanë dalë hasmit dhe e kanë ekzekutuar Eri Zefin duke qëlluar me plot 6 plumba, katër në kokë dhe dy në gjoks.




Skip to toolbar