Pas Këshillit të Lartë Gjyqësor, ka reaguar dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili ka kërkuar nga politika të ndalojë sulmet ndaj sistemit të drejtësisë.
Ata kritikojnë qëndrimin e Ramës, ndërsa kërkojnë nga qeveria që të respektojë pavarësinë dhe integritetin profesional të prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Deklarata e KLP:
Në vijim të qëndrimeve të mëparshme për garantimin e pavarësisë së prokurorëve, e rithekson mbështetjen ndaj institucionit të prokurorisë për ushtruar funksionet e tij në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe në përputhje me ligjin. Ruajtja e këtyre parimeve është thelbësore për funksionimin e drejtësisë dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Këshilli kërkon nga të gjithë aktorët që të respektojnë pavarësinë dhe integritetin profesional të prokurorëve, duke siguruar që ata të ushtrojnë funksionet e tyre pa ndikime të jashtme në funksion të dhënies së drejtësisë. Pavarësia e prokurorisë është një gur themeli për besimin e qytetarëve tek institucionet e drejtësisë dhe për garantimin e një sistemi ligjor të drejtë e transparent.