Kuvendi merr “të pandehur” Metën. I krijon Komision Hetimor, ta detyrojë të dëshmojë

Më të fundit


Komisioni i Ligjeve do t’i propozojë Kuvendit ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, që do të provojë sipas mazhorancës shkeljet kushtetuese që Presidenti i Republikës ka bërë në nxjerrjen e dekretit të 8 Qershorit, për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Kryetari Ulsi Manja kërkoi që pjesë e hetimit të jetë edhe përgjigjja që kreu i shtetit i ka kthyer Komisionit të Ligjeve, duke e cilësuar atë si ironike, hipokrite dhe fyese.

E konsideroj tërësisht gjuhë ironike, hipokrizi, por edhe fyese për institucionin nga ku ka lindur Presidenti i republikës. Të fyesh atë që të ka dhënë votën për të shkuar në atë karrige, është një arsye dhe një argument më tepër që komisioni hetimor parlamentar të involvohet edhe në hetimin e kësaj korrespondence me Kuvendin si pjesë e veprimtarisë së Presidentit”, deklaroi Ulsi Manja

Për socialistin Bashkim Fino, Presidenti Ilir Meta ka shpallur dekretin bazuar në interesa politike dhe aspak në zbatim të përcaktimeve kushtetuese. “Presidenti ka marrë një copë letër, ka shkruar aty çfarë ka dashur, i ka vënë titullin dekret dhe do të na e shesë si të tillë. Nuk është titulli që përcakton llojin e aktit, është referenca kushtetuese, ose ligjore dhe mbështetja në dispozita të normave juridike, ajo që përcakton se me çfarë lloj akti kemi të bëjmë. Me këtë logjikë, Presidenti mund t’i kishte vënë edhe titullin, Vendim i Këshillit të Ministrave letrës së vet, por ky titull nuk e bën atë VKM, apo jo”, deklaroi Bashkim Fino.

Relatorët e çështjes, Klotilda Bushka dhe Adnor Shameti, parashtruan argumentet ligjorë  te kërkesës për  shkarkimin e Presidentit. “Është nxjerrë akt në kundërshtim të hapur flagrant me Kushtetutën dhe me ligjet , duke sjellë si pasojë cenimin e të drejtës së qytetareve si sovran, për të zgjedhur . Këto shkelje meritojnë një hetim nga një komision hetimor sepse është shkelje shumë e  rëndë e  Kushtetutës”, tha Bushka në fjalën e saj.

Propozimin për ngritjen e një komisioni hetimor e mbështeti dhe Adnor Shameti, i cili në fjalën e tij, tha se dekreti i cili ç’dekreton datën 30 Qershor, si datën e zgjedhjeve është shkelje e rëndë dhe për këtë, listoi një sërë argumentesh ligjorë. “Shkeljet kushtetuese të dekretit të Presidentit  janë: Cenon të drejtën e zgjedhjes së shtetasve pra  nenin 45 të Kushtetutës, ka shkelur parimin e unitetit kombëtar, pra nenin 86 të Kushtetutës, si dhe  ka shkelur parimin e periodicitetit të zgjedhjeve, pra nenin 1, paragrafi i tretë, i Kushtetutës. Periodiciteti është 4 vjet. Shtyrja e zgjedhjeve, për më tepër pa datë, e cenon periodicitetin, pasi lë në detyrë organet e zgjedhur më shumë se 4 vjet”, tha Shameti.

Pas diskutimeve të ndryshme nga anëtarët Ulsi Manja u shpreh se Presidenti ka shkelur parimin e neutralitetit, atë të qëndrimit mbi palët politike dhe u kërkoi relatorëve të çështjes të përgatisin raportin, i cili do t’i kalojë më pas seancës plenare, për të kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor që do të shqyrtojë shkeljet e Presidentit.

Komisioni parlamentar i Ligjeve do të mblidhet sërish të mërkurën ku pritet të votohet raporti në të cilin do kërkohet nisja e hetimit parlamentar për shkarkimin e Presidentit të Republikë Ilir Meta. Raport pritet të kalojë për votim në seancën parlamentare të datës 4 korrik për ditëlindjen e Ramës.



Skip to toolbar