LSI me bojë, Ralfi me pambuk: Shkarkimi i Metës, është politik

AKTUALITET


E quajti ditën më të zezë të Republikës, zgjedhjen e Ilir Metës President në 2017. Kjo deklaratë mori më shumë vlerë, se vinte nga ish njeriu i afërt i Metës në LSI. Por pasi mori jashtë vullnetit të partisë, mandatin e deputetit, dhe pasi ditën e parë që do hynte në Kuvend, LSI e “përshëndeti” me një atentat me bojë, Ralf Gjoni u bë zëri më i ashpër ndaj ishëve të vet.

Deri të hënën paradite kur në mbledhjen e Komisionit Parlamentar i Ligjeve mbi kërkesën e 55 deputetëve për të shkarkuar presidentin Meta, i vetmi që i ka bërë “avokatin” Presidentit, ka qenë Ralfi. Ai është shprehur në Komisionin e Ligjeve se procedura për shkarkimin e presidentit është politike dhe e pabazuar në Kushtetutë.


 “Mendoj se është i nxituar vendimi për të shkarkuar presidentin, pasi ende nuk kemi të bëjmë me një akt për të delegjitimuar Parlamentin.

Mua më duket se kjo procedurë shkarkimi është një lojë politike që ju po bëni dhe është e pabazuar në Kushtetutë. Është një lojë që po hapet për të bërë zhurmë mediatike”, u shpreh Gjoni.

Ndërkohë, deputeti i PS, Bashkim Fino tha  se vendimi i Metës përbën shkelje shumë të rëndë të Kushtetutës.

“Presidenti ka marrë një copë letër, ka shkruar çfarë ka dashur dhe i ka vendosur emrin dekret. Ajo që më bën përshtypje është letra që presidenti i ka dërguar Kuvendit të Shqipërisë për argumentet e ç’dekretimit.

Gjuha e përdorur prej tij është ironike, paragjykuese dhe hipokrite.

Jemi përpara një shkelje të nenit 92 të Kushtetutës dhe me dhimbje kemi marrë këtë masë që po ia paraqesim Parlamentit”, tha Fino.




Skip to toolbar