Komiteti i Ekspertëve: Masat antiCovid pa afat, s’ka të reja

CORONAVIRUS


Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur të lërë në fuqi masat kufizuese kundër koronavirusit që ishin deri më sot, 2 dhjetor.

Lajmi është bërë i ditur nga zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, e cila theksoi se do të vijojnë ora policore 22:00 me 06:00, ndalimi i grumbullimeve, tubimeve e mitingjeve politike, ceremonive festive dhe atyre mortore.


Sipas numrit dy të shëndetësisë, këto masa do të vijojnë për një periudhë pa afat.

“Komiteti i Ekspertëve mori vendimin unanim për t’i vijuar këto masa. Ndalohen tubimet, konferencat, ceremonitë e festave dhe ato mortore. Do vazhdojë të jetë në fuqi kufizimi i lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri në orën 06:00. Do të kufizohet në këto orare edhe puna në Fast-Food. Universitetet do të vazhdojnë online, administrata do të punojë online, ndërsa shkollat me mësim të alternuar. Këto masa do të vijojnë për një periudhë pa afat”, tha zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli.

Rakacolli njoftoi gjithashtu se testet e shpejta do të jenë në Shqipëri brenda dhjetorit.

“Testet e shpejta do jenë brenda dhjetorit në Shqipëri. Është bërë e gjithë strategjia si do të përdoren” u shpreh Rakacolli.

Lidhur me situatën e deritanishme në vend, krijuar nga pandemia, Rakacolli u shpreh se për momentin do të mbetet në fuqi masat shtrënguese, por nuk përjashtoi ashpërsimin e tyre, nëse situata do të përkeqësohet.

“Në vendimin e sotëm mbeten në fuqi masat që thamë, nëse do ketë rëndim të situatës do marrim masa të tjera. Për situatën ku jemi kjo masë nuk është e justifikuar,” vijoi Rakacolli, ndërsa apeloi qytetarët në zbarimin e masave me qëllim ndalimin e pandemisë.




Skip to toolbar