“Kosova e krijuar nga Perëndimi, kërkohet bashkëvendosje, jo vetëvendosje”, Rakipllari: Dy problemet e Albin Kurtit

AKTUALITET


Drejtori i Informacionit në televizionin “News24”, Robert Rakipllari i ftuar në emisionin “Real Story” të Sokol Ballës deklaroi se Albin Kurtit do t’i rrëzohen dy premtimet e para, i pari ai për ekonominë dhe i dyti ai për dialogun me Serbinë.

Ndonëse Kurti, siç u shpreh Rakipllari, e ka vendosur dialogun me Serbinë të 6 në renditjen e prioriteteve, një gjë e tillë nuk shkon me linjën e BE dhe Perëndimit që duaç zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve.


“Fitorja e Albin Kurtit është në interesin publik të dy vendeve, si Kosovës dhe Shqipërisë. Ai është politikan i brezit të ri, ka artikulim popullor e të kënaqshëm, ka pasur sukses nga pikëpamja e artikulimit deri tani, por jo në shtetformim. Por cili është fati i keq i populistëve? Me idetë e tyre për rrëzimin e sistemit, në rastin e Kosvës ai thotë që dialogu me Serbinë është në vend të 6 për nga rëndësia, e para është ekonomia. Në teori po, por në realitet nuk do jetë ashtu. Një kryeministër që s’shkon me të njejtën linjë me BE, me Perëndimin është i destinuar të largohet. Kosova është krijuar nga Perëndimi i cili kërkon bashkëvendosje, jo vetëvendosje. Problemi i parë i Albinit: Po të shikosh programin, që të mos i futemi thellë flet për banka shtetërore, ndërmarrje shtetërore të drejta puntorësh. Fjalë të bukura për barazi.

Problemi i dytë, dialogu me Serbinë. Këtu ka shumë pak mundësi të vendosë vet e të manovrojë. Kjo është një çështje ku administrata e Biden është shumë herë më e rafinuar se ajo e Trump, nuk ka avantazh Kosova, sepse duhet të zgjidhë konfliktin me Serbinë. BE dhe SHBA në raport me Serbinë kanë platformën e tyre, e Kosova veç ka rol të mbrojë interesat e veta, por jo rol parësor. I rrëzohen dy premtime, pra si ai për ekonominë edhe ai për Kosovën”,- u shpreh Rakipllari.




Skip to toolbar