“Kosova, pjesë e Serbisë”, Shahini shpjegon gabimin në librin e Qytetarisë

AKTUALITET


Në librin e Qytetarisë për klasat e treta është fotoja e vjetër e hartës së Ballkanit, ku Kosova shfaqet brenda kufijve të Serbisë dhe kjo ka nxitur debate në rrjetet sociale. Ministrja e arsimit, Besa Shahini ka bërë një reagim në facebook ku shkruan se edhe ajo vetë është ndier shumë keq kur e ka parë librin, por shpjegon se gabimi është i paqëllimshëm. Ajo tha se pavarësisht kësaj nuk duhet të ketë gabime të tilla në librat shkollorë.

“Më erdhi keq kur pashë të postuar në rrjete sociale një faqe të një libri me pasaktësi në hartën e rajonit të Ballkanit. Kosova është Republikë dhe njihet si e tillë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, 22 vende anëtare të BE-së, SHBA-të dhe shumë shtete të tjera aleate. Por nga autori i librit, te artisti grafik, te redaktori i shtëpisë botuese e deri te komisioni që ka dhënë OK për botim, nuk kanë qenë në gjendje ta vërejnë mungesën e shtetit të Kosovës në të!


Ky është natyrisht një gabim i paqëllimshëm dhe s’është i vetmi, megjithëse janë bërë përmirësime kolosale në korrigjimin e teksteve shkollore. Por padiskutim që nuk do të duhej të ekzistonin pasaktësi të tilla në librat shkollorë! Lajmi i mirë është se kjo ka ndodhur ndërkohë që po zhvillohet procesi i kontrollit të librave shkollorë, pasi sivjet është mbyllur procesi i hartimit të librave të rinj. Pastaj do të vihet në lëvizje detyrimi për shtëpitë botuese që t’i adresojnë menjëherë me fletë plotësuese gabimet e konstatuara, ndërsa në vijim me redaktim të plotë”, shkruan Shahini.

Ditën e enjte në media qarkulloi një foto e një libri që përdorej nga nxënësit e klasave të teta në Shqipëri, ku harta e Ballkanit ishte gabim, pasi Kosova nuk shfaqej si shtet më vete, por si pjesë e Serbisë.




Skip to toolbar