Krijohet Regjimenti i Operacioneve Speciale, Peleshi: Rrisim kapacitetet

AKTUALITET


Regjimenti i Operacioneve Speciale është struktura më e re dhe më elitare e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Regjimenti u krijua pas bashkimit të batalionit të Forcave Speciale dhe atij Komando.
Rreshtimin e parë organik të kësaj strukture, e përshëndeti edhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili shoqërohej nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Bajram Begaj.
Ministri Peleshi vlerësoi kontributin shumëvjeçar të dy batalioneve tashmë të bashkuar, si dhe i siguroi efektivët e tyre se do të kenë vëmendjen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm për të rritur më tej kapacitetet operacionale. “Ky regjiment, pavarësisht se bëhet njësia me moshën më të re në Forcat e Armatosura, në të vërtetë ka dy formacionet tona ushtarake më të mirënjohura, më të vlerësuara dhe me një bilanc angazhimesh, kontributesh suksesesh që na bëjnë të gjithëve krenarë. Ju jeni krenaria dhe dinjiteti i Forcave të Armatosura në detyrimet dhe angazhimet tona jashtë vendit, duke filluar nga misionet në Irak, Afganistan dhe deri në Kosovë. Si ministër i Mbrojtjes, e ndjej për detyrë t’ju inkurajoj dhe t’ju mbështes për ta konsoliduar më tej imazhin tuaj të mirë, kapacitetet operacionale dhe rolin tuaj, nën emrin e ri të regjimentit. Si një strukturë e re, Regjimenti i Operacioneve Speciale do të jetë në prioritetet tona për plotësimin me personel, por edhe për modernizimin e teknikës dhe armatimit luftarak, për të mundësuar arritjen e standardeve dhe objektivave të caktuara. Unë ju siguroj se veçanërisht regjimentit tuaj, por edhe Forca Tokësore e Forcat e Armatosura do të ketë një vëmendje të shtuar për mbështetje, përmirësime cilësore dhe motivime të tjera domethënëse.”- u shpreh ministri i Mbrojtjes.
Komandanti i parë i Regjimentit të Operacioneve Speciale u emërua kolonel Arben Zani.





Skip to toolbar