Shtyhen me 3 muaj hetimet për Llallën

AKTUALITET


Hetimet ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla janë shtyrë me tre muaj nga Gjykata për Krimet e Rënda për t’i dhënë afat prokurorisë për dosjen. Në pritje të letër porosive nga jashtë vendit prokurori i krimeve të rënda Klodian Braho i ka kërkuar gjykatës të zgjasë me tre muaj afatet për dosjen ndaj ish eprorit të tij dhe ish kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Llalla nëpërmjet avokatit e ka kundërshtuar këtë kërkesë ndërsa gjykata e Krimeve të Rënda i ka zgjatur këto hetime deri në dhjetor të 2019, kur prokuroria duhet të marrë një vendim nëse do e dërgoj çështjen në gjyq apo pushojë. Llalla po hetohet për shpërdorim detyrë dhe fshehje pasurie.


Kjo është hera e dytë që shtyhen hetimet për Llallën, pasi u shtynë po me tre muaj në korrik të këtij viti. Shtyrja e afatit të hetimit edhe herën e parë u bë me arsyetimin se prokuroria ende nuk ka administruar dy letër-porositë e dërguara në Amerikë dhe Gjermani, ku pritet të ketë të dhëna lidhur me shpenzimet e kryera nga ish-kryeprokurori dhe familjarët e tij.

Ndaj Ish-prokurorit rëndojnë dyshime mbi 4 vepra penale, mes tyre edhe ajo e pastrimit të parave. Hetimi ndaj Llallës nisi 2 vite më parë, kur SHBA e shpalli person të padëshirueshëm dhe i ndaluan të drejtën e hyrjes në territorin e tyre. Ish-kryeprokurori hoqi dorë nga sistemi i drejtësisë duke i shpëtuar edhe procesit të vettingut.




Skip to toolbar