Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ndodhet në qytetin e Durrësit në mbështetje të protestuese. Në një deklaratë për mediat ajo tha se opozita nuk e ka problemin me Ramën si individ, por me fenomenin Rama dhe kapjen e institucioneve nga krimi.
“Protesta e opozitës nuk kanë të bëjnë me individin Edi Rama, pasi ai si individ nuk është problem i opozitës. Problem i opozitës dhe qytetarëve është fenomeni Rama, i cili ka kapur institucionet shqiptare. Mos pretendoni që Rama të largohet vetë. Ai është një i çmendur që ka kapur peng një popull të tërë dhe një vend të tërë. Mosbindja civile nuk do të thotë vetëm bllokim i rrugëve, por bllokim i çdo gjëje 24 orë në 7 ditë javës dhe më shumë nëse është e nevojshme.” – tha Kryemadhi
Kryemadhi i ka kthyer përgjigje edhe për deklaratat e Ramës në lidhje me dënimin me burg për këdo që bllokon rrugët duke thënë se “nëse është dikush që duhet të shkojë në burg është ai vetë.”
Gjithashtu Kryemadhi ka cilësuar se opozita nuk kërkon pushtet në tavolinë, pasi pushteti nuk merret në tavolinë, por jepet nga populli për këdo që do ai.
“Dalja e popullit në rrugë dhe protestimi me mënyra të ndryshme tregon se ky pushtet ka rënë. Pavarësisht se ai zvarritet, nuk e ka të gjatë jetesën.” – tha Kryemadhi