Kryeministri spanjoll në Serbi përsërit qëndrimin kundër Kosovës

KOSOVA


Spanja mbështet Serbinë për çështjen e Kosovës, tha kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, i cili ndodhet për një vizitë dy ditore në Beograd.

Ai tha kështu pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç më 29 korrik.


Sanchez do të vizitojë edhe katër vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Kosova është i vetmi vend në rajon që Sanchez nuk do ta vizitojë gjatë vizitës së tij në Ballkan.

Spanja është një nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Gjatë një konferencë të përbashkët për media me Vuçiçin, ai tha se Spanjën dhe Serbinë i lidhë nevoja për të “respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe sovranitetin dhe integritetin territorial të dy vendeve” dhe se “Spanja do të jetë gjithmonë me Serbinë në respektimin e këtyre parimeve”.

Ai gjithashtu tha se mbështet Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor në rrugën e integrimit evropian.

“Spanja do të jetë gjithmonë me ju dhe ju keni mbështetjen tonë për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian”, tha ai.

Marrëdhëniet politike mes Serbisë dhe Spanjës, Sanchez i cilësoi si “fantastike”, duke shtuar se edhe marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare duhet të arrijnë në të njëjtin nivel.

Ai tha shkëmbimi tregtar ka qenë në rritje në pesë vjetët e fundit, por shtoi se dëshiron që ky shkëmbim të rritet edhe më shumë, duke paralajmëruar ardhjen e kompanive të reja nga Spanja në Serbi.

Sanchez tha se me Vuçiçin ka folur edhe për luftën në Ukrainë dhe pasojat e luftës në Evropë, duke bërë thirrje për përfundimin e menjëhershëm të luftës dhe vendosjen e paqes në Ukrainë.

Vuçiç: Serbia i është mirënjohëse Spanjës për mbështetjen e saj

Serbia i është mirënjohëse Spanjës për mbështetjen e vazhdueshme dhe pa kushte në procesin e anëtarësimit në BE, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

“Serbia e konsideron Spanjën një mik të madh”, shtoi ai.

Duke e falënderuar Spanjën për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe “respektimin e integritetit territorial të Serbisë”, Vuçiç tha se e ka njoftuar kryeministrin Sanchez për rrjedhën e dialogut që Serbia dhe Kosova Beogradi po zhvillojnë nën lehtësimin e BE-së.

Vizitën e tij në Beograd, Sanchez do ta përfundojë më 30 korrik me një takim me kryetarin e Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç.

Deri më një gusht, kryeministri spanjoll do të vizitojë edhe Sarajevën, Mostarin, Podgoricën, Shkupin dhe Tiranën.

Sanchez po viziton rajonin me qëllim të “ringjalljes së procesit të zgjerimit” të BE-së në Ballkanin Perëndimor.




Skip to toolbar