Kukësi me stadium të ri, Gjici: Impianti gati pas 9 muajsh

SPORT


Prej disa javësh në Kukës kanë nisur punimet për ndërtimin e stadiumit të ri, “Zeqir Ymeri”. Prej datës 6 gusht, ditë kur nisën punimet, e deri më sot, duket se gjithçka po ecën sipas planit. Lajmin e ka dhënë kryetari i bashkisë së Kukësit njëherazi presidenti i klubit, Safet Gjici. Ai ka inspektuar të enjten punimet për ndërtimin e satiumit të ri i shoqeruar nga anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Arben Dervishaj. Gjatë fjalës së tij, Dervishaj është shprehur se do të punohet me dy turne në mënyrë që stadiumi të jetë gati sipas afatit të parashikuar.

“Jemi të kënaqur, sepse ritmet janë të shpejta në fakt. Ne biseduam për të shtuar edhe fuqinë punëtore, sepse ka shumë fronte pune që mund të bëhen me dy turne, pse jo dhe më shumë, për të arritur afatin që ne e kërkojmë, pa prishur cilësinë. Duhet të ruajmë cilësinë, standartet për ndërtimin e stadiumit të ri, por njëkohësisht edhe të kapim afatin kohor, sepse ju e dini që ekipi i Kukësit po luan sa në një stadium në tjetrin dhe jemi jashtë shtëpie”, ka thënë Dervishaj.


Safet Gjici ka pritshmëri dhe më të larta. Gjatë fjalës së tij ai është shprehur se me ritmin aktual të punimeve, stadiumi i ri do të jetë gati jo  brenda afatit prej 15 muajsh, por brenda 9 muajsh. “Duhet të falenderoj shumë Federatën Shqiptare të Futbollit, që e ka marrë seriozisht investimin dhe qeverinë shqiptare. Besoj që edhe ne duhet të jemi në gatishmëri të plotë për të plotësuar të gjithë problematikat që mund të dalin gjatë zbatimit të projektit. Kemi biseduar edhe me disa që u prekën disa prona këtu, edhe me ata do e zgjidhim, paqësisht, me mirëkuptim me njëri-tjetrin, sepse stadiumi është i Kukësit dhe i kuksianëve. Nuk është as i imi, as i askujt tjetër”, ka thënë Gjici.

Nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve të kryebashkiakut dhe presidentit të klubit, Kukësi pritet që ndeshjet e fundit të kampionatit t`i zhvillojë në shtëpi. Stadiumi i ri është një investim që kap vlerën e 5 milion eurove dhe do të financohet nga Federata Shqiptare e Futbollit, qeveria shqiptare dhe bashkia Kukës. Ky impiant do të ketë një kapacitet prej 8 mijë spektatorësh ndërsa është parashikuar të zhvillohen dhe ndeshje të nivelit ndërkombëtar.




Skip to toolbar