Kur lufta për pushtet konvertohet në urrejtje për Shqipërinë

AKTUALITET


Nga Mero Baze

Ka dy ngjarje madhore që lidhen me 1 janarin e vitit 2020, që vënë në provë mungesën e energjive pozitive të shoqërisë sonë, edhe kur bëhet fjalë për ngjarje jo partiake, por kombëtare. Më 1 janar, lajmi më i rëndësishëm për vlerat e kombit shqiptar, ishte që shkrimtari Ismail Kadare u nderua nga Franca me titullin e lartë “Oficer i Madh i Legjionit te Nderit”.

Ky është një titull që e ka merituar një rreth i ngushtë personalitetesh dhe është niveli  më i lartë i këtij çmimi, me të cilin Franca nderon personalitetet më me vlerë në botë. Ngjarja e dytë, që lidhet me 1 janarin, është kryesimi nga Shqipëria i Presidencës së OSBE, një ngjarje që mund të mos përsëritet më dhe që është një shans për promovimin ndërkombëtar të Shqipërisë.

E para, nderimi i Kadaresë, në thelb është një vlerësim i të vetmit institucion Perëndimor të pranuar nga bota që ne kemi prodhuar në historinë tonë. Kadare është pasaporta jonë krenare në Perëndim dhe në gjithë botën, por mbi të gjitha, njeriu që e tërheq gjithë elegancë, si një patriark hijerëndë, “karrocën” tonë të shkatërruar drejt Perëndimit. Është njeriu që na mban kokën nga Perëndimi.

Ajo që të bie në sy, është që opozita zyrtare duket sikur më shumë u inatos, se sa bëri sikur të gëzohej me këtë ngjarje. Kjo nuk do të thotë që opozita është doemos anti-Perëndimore, por përpjekja për të politizuar vlerat tona kombëtare dhe për t’i konsideruar ato, vetëm nëse i përdor politikisht, është një sëmundje që e zvogëlon shoqërinë tonë dhe e bën atë meskine, provinciale dhe pse jo, dhe linçuese ndaj çdo vlere, që ajo mendon se nuk e përdor dot politikisht. Kjo tregon shumë për standardin e një shoqërie.

E dyta, kryesimi i Presidencës së OSBE nga Shqipëria, është një ngjarje që nuk lidhet me Edi Ramën apo qeverinë, edhe pse ata kanë vite që luftojnë në kanale diplomatike për këtë gjë. Ajo është një mundësi e shkëlqyer që vendi ynë, të krijojë lidhje të reja me Europën dhe të ketë mundësi të promovojë vlerat e veta. Vreri me të cilën i janë turrur kryesimit të OSBE nga Shqipëria opozitarët tanë, tejkalon vrerin dhe rezervat e çdo vendi tjetër që mund ta konsiderojmë vend jo mik, që në fakt kanë munguar në këtë fillim viti.

Të vetmit që duket sikur protestojnë pse Shqipëria po kryeson OSBE, janë opozitarët tanë. Tani jam dakord që ta nisim vitin e ri me të shara për mjekrën e Edi Ramës, për gallatat me të prekurit nga tërmeti, për frikën se mund të mos realizohet projekti i rindërtimit, madje jam gati të qajmë dhe pse s’u bë Elvis Naçi “Njeriu i Vitit”, por nuk e kuptoj pse duhet të nxijmë, të heshtim, apo të përbaltim dy ngjarje me të cilat jemi të lirë të gëzohemi të gjithë, pa dallime politike, se mbi të gjitha, janë dy ngjarje që na identikojnë me Perëndimin, dhe na vënë në krye të vlerave të tij.

Ismail Kadare nuk ka nevojë për duartrokitjet tona. Madje, aq i famshëm sa është, nuk ka nevojë as për lëvdatat tona për librat e tij, se po e vlerësojnë më shumë nga Londra, deri në Kore të Jugut, se sa nga Shkodra deri në Sarandë. Por vlerësimi për të, si një nga personalitetet e mëdha të botës, që merr çmimin, “Oficer i Madh i Legjionit te Nderit”, është më shumë një nder për Shqipërinë, se sa për të. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për kryesimin e radhës së OSBE. Ajo është një ngjarje politike që fitohet me konsensusin e gjithë vendeve të OSBE.

Dhe të gjitha këto vende e kanë dhënë këtë konsensus. Të vetmit që nuk e japin dhe hedhin vrer ndaj Shqipërisë për këtë ngjarje, janë PD dhe LSI në Tiranë. Kjo do të thotë, që në strategjinë e opozitës, negativizmi nuk është thjesht strategji kundër qeverisë, por mbi të gjitha, kundër Shqipërisë. Dhe nuk di se si mund ta bindësh një popull të të votojë, duke i sharë nënën. Vetëm këta tanët e kanë zbuluar këtë formulë.



Skip to toolbar