“Me Edi Ramën zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk ka. Ne i qëndrojmë kërkesës për një qeveri tranzitore, përpara zgjedhjeve”. Kjo ishte deklarata e Oerd Bylykbashit, të mandatuarit të PD-së në tryezën politike të reformës zgjedhore, në emisionin “Real Story” në News 24, kur u pyet nga gazetari Sokol Balla nëse largimi i Ramës si kryeministër ishte kusht apo jo i opozitës në këtë tryezë që solli paqen e re mes partive politike.
“Ne jemi vend me një katalog shkeljesh skandaloz. Kemi shumë shkelje, nga të drejtat bazë te ato të lirisë së medias. Me këtë proces që kemi nisur tani, është e kotë që PS t`i këndojë paqes. Ky do jetë proces shumë intensiv, do përfshihen shumë aktorë. Qëndrimi i opozitës është i qartë; me Edi Ramën nuk mund të bëhen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne i qëndrojmë kërkesës për një qeveri tranzitore, përpara zgjedhjeve” u shpreh Bylykbashi duke i qëndruar kështu në koherencë asaj që kreu i demokratëve Lulzim Basha tha pak orë më parë për mediat se “Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme”.
Bylykbashi tha se kjo tryezë politike u shty kaq shumë për shkak të vonesave të PS, por në fund u arrit ajo që kërkoi opozita që në tetor, një këshill politik jashtë parlamentit. Bylykbashi tha se Ramës i mundon qartazi vullneti politik ose e ka negativ, ku deri dje deklaronte se reforma do të zhvillohej brenda Kuvendit dhe sot po diskutohet për arritjen e një konsensusi ndërpartiak jashtë tij.
“Ky dokument përcakton rregullat me të cilat ne do përballemi, pa kompromis për Reformën Zgjedhore. Është detyrim që Shqipëria ka karshi OSBE. Shqipëria me këtë barrë të rëndë, merr sot drejtimin e këtij institucioni. Ajo që ne na duhet është një dy muajsh shumë intensiv për të bërë një Reformë Zgjedhore, ku të mos ketë shitblerje votash, cenim të votave. Reforma Zgjedhore është kushti. Ramës i mungon qartazi vullneti ose e ka atë negativ. U mbajt për moment të fundit vendimi për pjesëmarrjen në Tryezën Zgjedhore për shkak të vonesave nga pala tjetër pasi kishte tentativa vonese nga pala tjetër. Këshilli Politik ka shumë vlerë, kjo është më e rëndësishmja. Dokumenti ka bërë që palët të angazhohen, jashtë parlamentit, dhe mos bëhet Reforma Zgjedhore siç i do qejfi.
Ajo s’mund të bëhet në Parlament, do të bëhet jashtë saj dhe me ekspertë jashtë parlamentit. Rama flet shumë i bindur se Reforma do bëhet në Kuvend dhe ja ku jemi sot. Zgjedhjet sa më shpejtë janë e vetmja zgjidhje për krizën politike. Sot demokracia ka rënë dhe kushtetuta bashkë dhe është shumë e rrezikshme” tha Bylykbashi.