Kushtetuesja, Meta akuzon KED. Por a kishte parashikuar bllokimin?

#NËRADAR


Një ditë pasi Arta Vorpsi u emërua anëtare e Gjykatës Kushtetuese, vendim i botuar në Fletoren Zyrtare, reagoi Presidenti Ilir Meta. Ai publikoi letrën e plotë dërguar kryetarit të Kuvendit, kryetarit të KED dhe Avokatit të Popullit, në lidhje me pezullimin e procesit të emërimit të anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese, që i përket kreut të shtetit. Së pari, Meta i qëndron argumentit të tij, se pasi ai emëroi Besnik Muçin anëtar të Gjykatës Kushtetuese, ishte radha e Kuvendit për të bërë emërimin e anëtarit tjetër.

“Neni 179 pika 2 e Kushtetutës, përcakton: “Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.”, shprehet Meta. Më pas, ai gjen alibi duke sulmuar Këshillin e Emërimeve në Drejtësi se ka shkelur procedurën. Sipas Metës, KED dërgoi listat në Kuvend më vonë se sa duhej.


“Në aktet e dërguara pranë Institucionit të Presidentit të Republikës nuk paraqitet asnjë e dhënë që të shpjegojë arsyet e dërgimit të të dy listave njëherazi apo shkaqet e vonesës së dërgimit të dy listave njëherazi me një javë diferencë pranë Kuvendit. Ky veprim administrativ i KED-së nuk respekton as kohën e përpilimit të listave (listat janë miratuar brenda të njëjtës ditë), as radhën e miratimit të tyre (lista e parë e miratuar është e Presidentit, lista e dytë është e Kuvendit, lista e tretë është e Presidentit, dhe lista e katërt është e Kuvendit) dhe as rendin kronologjik të detyrueshëm, që ka caktuar Kushtetuta dhe ligji, për plotësimin e vendeve vakante”, shprehet Meta. Megjithatë, këto nuk janë argumentet e vetme të Ilir Metës.

Duket se “djalli fshihet në detaje” sa i përket bllokimit të Gjykatës Kushtetuese. Së pari lidhet me procedurën, atë që Ilir Meta e citon duke e theksuar: “Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji”. Pra, nisur nga ky pohim, edhe nëse do të ishte ndjekur radha e përcaktuar për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese sipas kronologjisë President, Kuvend, Gjykatë e Lartë, në hallkën e fundit mund të krijohej përsëri ngërç.

Kjo për faktin se Gjykata e Lartë ende nuk është funksionale, dhe në mos funksionim të saj, bie mundësia që të zbatohet radha kronologjike e plotësimit të vakancave në kushtetuese. Kështu, ndoshta në funksion të këtij fakti, KED vendosi që Arta Vorpsi të emërohet anëtare e dytë e Gjykatës Kushtetuese sipas vakancës së Presidentit të Republikës duke vepruar sipas sanksionit kushtetues: se nëse presidenti nuk përzgjedh një nga tre kandidatët në listë, i pari me më shumë pikë emërohet automatikisht. Por, duke u nisur nga veprimi i Presidentit, gjasat janë që edhe nëse ai do të kishte zgjedhur anëtarin e dytë të kushtetueses në këtë raund, mund të kishte bllokuar përsëri procesin pasi të kishte votuar dhe Kuvendi anëtarët e tij. Justifikimi do të ishte se Gjykata e Lartë nuk është funksionale dhe s`mund të zgjedhë kandidatët e saj. 

Një tjetër detaj për të tentuar bllokimin e Gjykatës Kushtetuese lidhet me një tjetër argument të Presidentit. Meta kapet me një tjetër detaj, me faktin se, qoftë në listat që KED i ka dërguar presidentit qoftë në ato që i ka dërguar Kuvendit, gjenden pothuajse të njëjtët emra. Kështu, duke përjashtuar listën e parë, pra atë nga tashmë është zgjedhur Besnik Muçi, në tre listat e tjera, ajo dërguar presidentit, dhe dy Kuvendit, janë në garë pothuajse të njëjtët emra. Kështu, në listën e datës 21 shtator që KED i dërgoi Kuvendit renditen tre emra: Arta Vorpsi, Elsa Toska dhe Besnik Muçi.

Praktikisht, kjo listë mund të cilësohet e djegur tashmë, pasi Arta Vorpsi u emërua një ditë më parë, ndërsa Besnik Muçi u dekretuar disa javë më parë nga Meta. Kështu, dy kandidatët që gjendeshin në të dyja listat, si në atë të Kuvendit dhe atë Presidentit, tashmë quhen të emëruar. Tani pritet të mësohet nëse Kuvendi do të veprojë duke përzgjedhur Elsa Toskën dhe Fiona Papajorgjin, dy kandidatet e vetme të mbetura në dy listat për dy vakancat e kushtetueses që do të plotësohen nga Kuvendi?

Pavarësisht këtij fakti, Meta edhe në këtë pikë, me këtë argument duket se fsheh diçka tjetër. Më shumë sesa procedura e përzgjedhjes, interesi ka qenë për të mësuar lëvizjen e radhës të Kuvendit për emrin që do të zgjidhte. Fakti është se katër listat e kandidatëve kanë pothuajse të njëjtët emra. Kur Ilir Meta zgjodhi Besnik Muçin, që ishte i renditur i fundit në listën e pikëzimit, ai anashkaloi Arta Vorpsin, e cila qëndron e para në të katër listat e pikëzimit. Edhe pse zakonisht rekomandohet që kandidati i renditur më lartë me pikë zgjidhet i pari, Meta bëri krejt të kundërtën.

Ndoshta në këtë pikë mund të ketë dhe një tjetër shpjegim bllokimi i kushtetueses nga Meta. Emri i Arta Vorpsit ishte përsëri në krye të listës që Presidenti duhet të përzgjidhte anëtarin e dytë të kushtetueses. Nëse në rastin e listës së parë ndodhej një kandidat mashkull, siç ishte Besnik Muçi, në listën e dytë nuk ishte asnjë i tillë. Ndaj Meta refuzoi përsëri një kandidate që vlerësohet më lartë se gjithë kandidatët e tjerë, e cila tashmë është zyrtarisht në detyrë, pasi ligjvënësit kanë krijuar “çelësin zhbllokues” të ngërçit duke emëruar automatikisht më të mirin e listës.

Ndërkohë, për të gjithë ngërçin e krijuar Meta bën fajtore KED, pasi sipas tij, nëse listat e kandidatëve do të ishin miratuar sipas radhës së shpallur për vakancat, do të ishte shmangur përplasja. “Në zbatim të nenit 179 pika 2 të Kushtetutës, neneve 7 pika 2, dhe 86 pika 4 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, domosdoshmërish, në fazën përfundimtare të miratimit dhe dërgimit të listave përfundimtare, duhet të respektonte kërkesat e mësipërme të Kushtetutës dhe ligjit. Duke i miratuar dhe përcjellë listat tek secili organ emërtese sipas kësaj radhe dhe të diferencuara në kohë KED-ja do të shmangte situatën paradoksale procedurale të krijuar”.

“KED-ja me përcjelljen e njëkohshme të listave të kandidatëve për plotësimin e të dy vakancave që i përkasin Presidentit të Republikës, e ka vendosur Institucionin e Presidentit të Republikës në vështirësi, duke u përpjekur të krijojë një gjendje fakti ku Presidenti sipas KED-së do të duhet të shprehet brenda afatit ligjor 30-ditor edhe për emërimin e gjyqtarit tjetër për plotësimin e vakancës tjetër, eventualisht përpara se Kuvendi të shprehet për emërimin e gjyqtarit të dytë kushtetues. Nëse Presidenti i Republikës, do të ndjekë këtë logjikë siç ka vepruar administrativisht Kryetari i KED-së, kjo do të çonte domosdoshmërish në shkelje të parashikimeve të dispozitave të Kushtetutës  dhe të ligjit nr.8577/2000, për sa i takon respektimit të radhës së emërimit apo zgjedhjes së gjyqtarëve të rinj kushtetues”, shkruan ndër të tjera Meta. /Realstory.al/




Skip to toolbar