Ndërsa Kuvendi dhe deputetët do të mblidhen të enjten paradite (sot ora 10:00) në një seancë parlamentare, kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka thirrur me urgjencë një mbledhje të Këshillit Kombëtar të PD-së.
Mësohet se anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD-së, janë njoftuar mbrëmjen e së mërkurës përmes një mesazhi në telefon ku i kërkohej që të enjten të ishin të pranishëm në mbledhje.
Mbledhja do të zhvillohet në orën 11:45 në selinë e PD-së, ndërsa më herët gjatë ditës në orën 10:00 është njoftuar mbledhja e Kryesisë së PD dhe e ish grupit të deputetëve.
Mendohet se pjesë e diskutimeve do të jetë zhvillimi i protestës së opozitës ditën e hënë në datën 8 korrik si dhe hapat në vijim të PD-së.
Demokratët vendosën të mërkurën që të zhvillojnë një tjetër protestë, pikërisht në datën 8, ditë kur parlamenti do të votojë pro shkarkimit të presidentit Meta dhe ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar për të, si pjesë e procedurave parlamentare. PD ka mbështetur vendimet e Presidentit dhe shpeshherë kanë përdorur të njejtën retorikë çka tregon për qëndrime të koordinuara.
Ndërsa parlamenti do të mblidhet në seancë ku në rendin e ditës janë dy pika të rëndësishme:
Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 11195, datë 31.05.2019, “Për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 26/2019, ‘Për Shërbimin Përmbarimor Gjyqësor Privat’.
Gjithashtu një tjetër pikë e rëndësishme që do të diskutohet dhe votohet në Kuvend është Projektvendimi ‘Për lirimin nga detyra të anëtarit të Autoritetit të Mediave Audiovizive, z. Zylyftar Bregu.