Lë Zvicrën për Kosovën, mbrojtësi pajiset me pasaportën “Dardane”

SPORT


Një tjetër talent shqiptar ka vendosur të luajë për përfaqësuesen e Kosovës, duke i dhënë fund aludimeve. Fjala është për talentin Florent Hadërgjonaj, i cili ka pranuar të përfaqësojë “Dardanët” në nivele ndërkombëtare.

Futbollisti, që aktualisht aktivizohet me Huddersfield në Angli, gjatë ditës së sotme është pajisur me pasaportën e Republikës së Kosovës, duke u bërë gati për portierin Challandes për ndeshjet e muajit qershor.


Pasaporta e Kosovës, Hadërgjonajt i është dorëzuar nga Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili e ka përgëzuar dhe falënderuar për vendimin e marrë që kontributin e tij tash e tutje ta japë në fanellën e Kosovës.

Mbrojtësi 24-vjeçar tashmë është në dispozicion të përzgjedhësit Bernard Challandes dhe pa dyshim do të jetë një armë shumë e fortë në repartin e mbrojtjes për ndeshjet e ardhshme të ciklit kualifikues për Euro 2020.

Florenti deri tani ka luajtur me të gjitha ekipet e grupmoshave të Kombëtares së Zvicrës, por në fund vendosi me zemër që t’i bashkohet ekipit të Dardanëve, fanellë të cilën e ndjenë më shumë dhe aty ku emocionet janë të papërshkrueshme.

Florent Hadërgjonaj në këtë edicion të Premier Ligës ka luajtur në 24 ndeshje me Huddersfieldin, 19 prej të cilave ka qenë titullar, derisa në fushën e gjelbër i ka kaluar 1840 minuta.




Skip to toolbar