Lefter Alla “jep llogari” në SPAK: Pezullimin e ka në dorë drejtësia

POLITIKË


Kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla për rreth 1 orë e 20 minuta ka dëshmuar para prokurorit të SPAK, Ened Nakuçi lidhur me videon, ku PD e akuzon se është duke konsumuar kokainë në një lokal. Pas përfundimit të dëshmisë, Alla i shoqëruar nga avokati i tij Petrit Ismaili nuk është prononcuar për mediat duke thënë shkurt se gjithçka kishte për të thënë e tha para drejtësisë dhe se çështjen e pezullimit të tij e ka në dorë ajo.

Do bisedojmë herë tjetër. Do kemi kohë. Sot s’kam komente. Komentet i kam në prokuroi. E ka në dorë drejtësia edhe pezullimin tim nga detyra”, tha Alla ndërsa largohej nga SPAK. Ndërsa avokati i tij, Petrit Ismaili e cilësoi videon një montazh, ndërsa shtoi se Alla nuk ka arsye të japë dorëheqjen nga posti i kryebashkiakut. “Montazh, video nuk duket fare se kush është. Nuk ka arsye të japë dorëheqjen”, u shpreh avokati.

Më herët Lefter Alla ka mohuar të jetë personi në video, ndërsa akuzon PD për montazh së bashku me një televizion lokal si dhe ka deklaruar se për këtë do të padisë ish-deputetin e Partisë Demokratike Ervin Salianji.

SPAK ka nisur një hetim për rastin duke e regjistruar si procedim penal, por nuk është sqaruar se për çfarë vepre penale. SPAK fillimisht duhet të vërtetojë origjinalitetin e videos dhe më pas të vërtetohet nëse personi në të është Lefter Alla, ndërsa një tjetër çështje që sjell edhe më shumë vështirësi në hetime është të konfirmohet nëse lënda ishte kokainë siç pretendohet apo diçka tjetër dhe nëse ajo është mbajtur dhe sjellë nga vetë kryebashkiaku. Në këto kushte, ka shumë gjasa që ky hetim mund të mos sjellë pasoja penale, por nëse vërtetohet që ai është Lefter Lala mund të sjellë përgjegjësi morale të tij si funksionar publik në drejtimin e Bashkisë Bulqizë.

Në lidhje me rastin deputetët e PS janë shprehur se nëse vërtetohet se është ai në video, atëherë përgjegjësia është personale.

Vetë Lefter Alla ka deklaruar se “ishte në dijeni të ekzistencës së këtij video-montazhit rreth një viti më parë por ka besuar se drejtësia do të zbardh të vërtetën”.



Skip to toolbar