“Në Turqi më rrezikohet jeta”, gylenisti kërkon azil në Shqipëri

AKTUALITET


Shtetasi turk Selami Simsek i cili u arrestua së bashku me turkun e ekstraduar Harun Çelik, në aeroportin e Rinasit pasi u kapën me vizë kanadeze të falsifikuar, ka kërkuar azil politik në Shqipëri pasi në Turqi i rrezikohet jeta, për shkak se njihet si mbështetës i Fetullah Gylen i shpallur armik i shtetit.

Simsek ka firmosur kërkesën e tij që i drejtohet autoriteteve shqiptare dhe ku shkruan se kërkon azil politik në Shqipëri për shkak se qeveria turke e cilëson atë si gylenist dhe nëse shkon në Turqi ai rrezikon jetën.


“Këtë kërkesë e paraqes pranë zyrës së Kufirit dhe Migracionit Tiranë, që të fillojë procedura në emrin tim sa më shpejt të jetë e mundur, për azil. Këtë kërkesë e paraqes për shkak se në Turqi, shteti mendon që unë jam anëtar i Lëvizjes Gylen, dhe mendoj se atje mund t’i nënshtrohem veprimeve keqtrajtuese”, shkruan Simsek, në letrën drejtuar autoriteteve shqiptare.

Simsek u arrestua së bashku me mësuesin turk, Harun Çelik, pasi do të udhëtonin drejt Torontos, me vizë kanadaze të falsifikuar. Mësuesi “gylenist”, Harun Çelik, u ekstradua drejt Turqisë nga autoritetet shqiptare vetëm pak javë më parë. Kur mbërriti në Turqi, Çelik u fut në paraburgim pasi konsiderohet si mbëshetës i lëvizjes gylen, ndërsa miku i tij, Simsek vijon përballjen me drejtësinë shqiptare, ku prej disa muajsh ndodhet në paraburgim.




Skip to toolbar