Federata Shqiptare e Futbollit u ka ardhur në ndihmë klubeve të futbollit në vend. Nisur nga konfuzioni i krijuar në verë, ku disa klube rrezikonin të mos liçensoheshin për të luajtur në Superligë, FSHF nisi një seri trajnimesh me presidentët dhe juristët e klubeve, për ti informuar rreth procedurave të licensimit, sipas kërkesave të UEFA-s.
Të enjten në zyrat e federatës presidentët e 10 klubeve të Superligës dhe kreu i FSHF-së, Armand Duka, diskutuan rreth hapave që klubet do të ndjekin, për të përmbushur kriteret e licensimit. Pas mbledhjes, Presidenti i Tiranës Refik Halili, u shpreh se mbledhja ishte pozitive, ndërsa u shpreh se për të ardhmen duhet bërë gjëja më e mirë për licensimin.
“Mbledhja ishte e vlefshme se asistenca ligjore a financiare që të ketë mbështetje nga specialistët, si nga klubet e federata, është shumë e mirë. Shpresojmë të dëgjojmë çfarë të metash kemi, specialistët të flasin dhe të bëjmë për të ardhmen gjënë më të mirë për çështjen e licensimit”, tha Halili. Ndërkohë, FSHF ka miratuar një kalendar me trajnime me juristët dhe presidentët e klubeve deri në fundin e vitit 2019, të cilët do të informohen për çdo gjë në lidhje me klubet për sezonin e ri 2020-2021. Me nisjen e vitit 2020, në janar, do të ngrihet grupi i punës për licensimin.
Klubet, gjatë kësaj periudhe do të paraqesin draftet e dokumentacionit paraprak për licensim, deri në datën 28 shkurt kur do të jetë dhe afati përfundimtar për dorëzimin e gjithë dokumentacionit nga ana e klubeve. Në datën 31 mars të vitit të ardhshëm, klubet do të dorëzojnë dokumentet për kiriterin financiar, ndërsa një muaj më pas, FSHF do të njoftojë klubet për rezultatet e liçensimit.
Në këtë mënyrë, do të shmanget kaosi me licensat për ekipet që do të garojnë në Superlgië, por edhe ato që do të garojnë në kupat e europës. UEFA ka vendosur kriterere strikte për klubet, më i rëndësishmi mbetet kriteri financiar. Në këtë pikë, disa nga klubet shiptare kanë pasur probleme, me borxhe të mbartura ndër vite.