Me pistoletë në brez drejt Vorës, arrestohen dy të rinj në urban

AKTUALITET


Policia e Tiranës ka arrestuar një 19-vjeçar, pasi është kapur në flagrancë duke mbajtur një armë zjarri, pistoletë, teksa ishte duke udhëtuar me linjën e urbanit Tiranë-Vorë. Ndërkohë, po sipas policisë, për veprën penale të “Moskallzim krimi”, është arrestuar dhe një tjetër 19-vjeçar nga Bërzhita. Paraditen e të premtes, në linjën e urbanit Tiranë-Vorë, dy të rinjtë kanë qenë duke udhëtuar së  bashku në drejtim të Vorës.

Njëri prej tyre ka pasur një armë zjarri të llojit pistoletë. Shtetasi me inicialet, K.M., që sipas policisë është nga Librazhdi, është vënë re nga udhëtarët e autobusit. Menjëherë është lajmëruar salla operative, ndërsa në vendin e quajtur “Mbikalimi i Vorës”, është bërë ndalimi i autobusit dhe arrestimi i 19-vjeçarit.


Gjatë kontrollit, shtetasit K.M, lindur në Librazhd e banues në Tiranë, i është gjetur një armë zjarri pistoletë me krehër dhe fishekë. Bashkë me të, është arrestuar dhe shtetasi tjetër 19 vjeç, me inicialet K.M., lindur në Bërzhitë, i cili shoqëronte personin e arrestuar me armë, ndërsa akuzohet për veprën penale “Moskallzim krimi”. Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.




Skip to toolbar