Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edvin Kulluri, ka reaguar në lidhje me deklaratën e Lulzim Bashës për shpalljen ‘non grata’ të Vangjush Dakos nga SHBA. Kulluri, i drejtohet Bashës duke u shprehur se “nuk duhet të gëzohet”, pasi në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit, mund të jetë dhe vetë kryedemokrati. “Mos u gëzo shumë për Dakon në Listën e Zezë të SHBA, se mund të jesh dhe vetë, jo për gjë, po nuk e zgjidh dot me një gënjeshtër tjetër po të doli emri”, shkruan Kulluri në rrjetet sociale.
Të martën Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi vendimin e Sekretarit të Shtetit, për t`i ndaluar përfundimisht hyrjen në SHBA Vangjush Dakos dhe familjes së tij, pasi sipas DASH, Dako është i përfshirë në afera korruptive. Pas këtij vendimi, në mbrëmjen e së martës, reagoi dhe Lulzim Basha, i cili e quajti “lajm të mirë dhe të keq”, vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Vangjush Dakon.
Megjithatë, Edvin Kulluri, nëpërmjet statusit në Facebook, sjell në kujtesën e kryedemokratit deklararat që bëri Zëvëndës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Matheë Palmer, që dy ditë para zgjedhjeve të 30 qershorit, u shpreh se “nëse PD dhe LSI do të kryenin akte dhune gjatë procesit zgjedhor, ato do të futeshin në listën e zezë të SHBA, duke ndërprerë marrëdhëniet me amerikanët”.