Përgjimet, Rama: Nuk marrim njeri në mbrojtje, çdokush të përballet me drejtësinë

Më të fundit


Gjatë takimit të tij me banorët e Urës Vajgurore, Rama foli edhe për rastin e përgjimeve ku tha se nuk merr askënd në mbrojtje dhe çdokush duhet të përballet me drejtësinë, pasi është ajo që vendos kush është i fajshëm apo i pafajshmi. Këto deklarata Kryeministri Rama i bëri edhe ditën e enjte në emisionin “Real Story” të Sokol Ballës në Vizion Plus, ku tha se nuk mund të bëhet “drejtësi popullore” por duhet të vendosin gjykatat në lidhje me përgjimet e dosjes 339.

“Për përgjimet e neveritshme, askush nuk mund të çohet dhe të thotë që ne kemi hapur gojën apo për të çuar dorën për të penguar drejtësinë. Nuk na ka parë askush për të marrë në mbrojtje këdo qoftë që duhet të dalë para drejtësisë, ajo do e vendos kush është i fajshëm apo i pafajshëm. Drejtorin e Tatimeve e kishin të dënuar dhe e çonin përditë si të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë. Ne e kemi bërë të qartë ndarjen, drejtësia ka punën e vetë dhe prandaj jemi e vetmja forcë për të çuar deri në fund atë reformë në drejtësi. Ata duan që të bëjnë gjyqe popullore, pa prova, pa hetime pa asgjë”, tha Rama.


Rama ka komentuar edhe deklaratën e drejtueses së Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela mbi dosjen “339”, ku pranoi se ky reagim ka ardhur me vonesë, por kuptohet mjaft mirë se kush i ka nxjerrë këto dosje dhe i ka çuar tek partia.

“Dëgjojeni deklaratën e drejtueses së Prokurorisë për Krime të Rënda. Me shumë vonesë për fat të keq, por ka shpjeguar arsyen se përse këto zbulime të mëdha, janë një abuzim i madh me ligjin dhe nxjerrjen e sekretit hetimor për politik dhe kundër Shqipërisë, dëgjojeni dhe lexojeni kush janë personat që i kanë mbajtur në sirtar. Prokurorët i kanë çuar te partia për t’i përdorur për politik, sepse i bashkon shumë gjera ata: Lufta kundër Reformës në Drejtësi. Prokurorë e politikanë që i tremben Reformës në Drejtësi. Të gjitha ato që kanë ndodhur “drejtësia vonon, por harron”. Drejtësia ka vonuar shumë, por mos harroni që nuk po bëjmë drejtësi popullore, por ndërtojmë një sistem drejtësie me ndërkombëtarët ku prokurorët e gjykatësit nuk do të kenë lidhje me politikanët”- tha Rama.




Skip to toolbar