Llagami: Gjykata e Lartë nis punën në shtator

AKTUALITET


Gjykata e Lartë do të nisë punën në shtator. Kështu është shprehur të mërkurën kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami e cila ka raportuar në Komisionin Parlamentar të Ligjeve.

“Në shtator do të jemi gati që të kemi vendimet e para të kësaj Gjykate”, tha Llagami.

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami ka raportuar të mërkurën në Komisionin parlamentar të Ligjeve ku ka folur edhe për funksionimin e Gjykatës së lartë. Në një mënyrë ajo i ka kthyer përgjigje edhe letrës së drejtuar nga presidenti Meta për shkeljen e afateve për mos emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Llagami tha në komision se KLGJ nuk mund të lejonte emërimin në Gjykatën e Lartë të kandidatëve që nuk kanë kaluar procesin e vettingut. Ajo tha se vettingu është pjesë shumë e rëndësishme e Reformës në Drejtësi, ndaj dhe është pritur ky proces gjë që ka sjellë vakanca. Por në këtë drejtim po ecet për plotësimin e vendeve të mbetura bosh jo vetëm në Gjykatën e lartë, por edhe në gjykatat e tjera të vendit.

“Kur do të jetë funksionale Gjykata e Lartë? Kjo pyetje na ka shqetësuar që në sekondën e parë që kemi nisur punën. Duhet të kuptoni që mirëfunksionimi i gjyqësorit nuk është vetëm Gjykata e Lartë por edhe gjykatat e tjera që kanë pasur vakanca dhe ne kemi reaguar në mënyrë shumë shpejtë. Ne kemi pasur objektiv që nuk do lejojmë kandidatë që nuk kanë kaluar procesin e vettingut.

Këshilli nuk mundet kurrsesi që të mos vendoste kritere objektive për verifikimin e figurës dhe pasurisë për personat që do shkojnë në Gjykatën e Lartë. Një pjesë e gjyqtarëve po largohen nga sistemi për shkak të integritetit, ndaj ne s’mund të lejonim të fusnim në sistem njerëz të pa vettuar”, tha Llagami.

Deri tani janë 31 mijë dosje që presin të shqyrtohen nga Gjykata e Lartë.

Disa ditë më herët Presidenti Ilir Meta i dërgoi një letër Kryetares së Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, (për dijeni edhe ambasadorit  të BE-së Soreca, ambsadorëve të vendeve evropiane dhe të ngarkuarës me punë në ambasadën e SHBA, Leyla Moses-Ones), të cilës i kërkoi llogari për tejkalimin e afateve dhe për mos dërgimin në presidencë të propozimeve për anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Ai vëren se KLGJ është në shkelje të ligjit dhe kërkon informacion për shkaqet që e kanë çuar këtë institucion të shkelë ligjin.

Ndërkohë Meta sulmoi hapur edhe misionin ndërkombëtar EURALIUS duke thënë se propozimet e tij shkelin kompetencat e presidentit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Një përpjekje kjo e presidentit për të emëruar anëtarë të Gjykatës së Lartë para se të lërë postin e presidentit pasi pritet shkarkimi i tij nga parlamenti.



Skip to toolbar