Soreca: Gjykata e Lartë sa më parë funksionale

AKTUALITET


Çdo ditë e më shumë ndërkombëtarët po kërkojnë me ngut plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë dhe vënien e saj në punë.

Ambasadori i BE-së Luigi Soreca ka zhvilluar një takim të dytë me kryetaren e KLGJ-së, Naureda Llagami me të cilën ka biseduar në lidhje me hapat që po ndërmerren në plotësimin e vendeve vakante në këtë gjykatë.


Ky takim është i dyti brenda një kohe shumë të shkurtër, dhe tregon rëndësinë që ka funksionimi i Gjykatës së Lartë për ndërkombëtarët.

“Kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami më përditësoi sot me punën intensive të Këshillit të Lartë Gjyqësor në veçanti për vendet vakante në Gjykatën e Lartë për të cilën janë miratuar aktet rregulluese. Kjo është e rëndësishme që së shpejti të kemi një Gjykatë të Lartë funksionale dhe gjithashtu për të balancuar shpejtësinë dhe cilësinë e punës”, shkruan ambasadori i BE-së në Tëitter.

Dy ditë më herët kryetarja e KLGJ-së, Llagami tha në Komisionin e Ligjeve se Gjykata e Lartë do të jetë funksionale në shtator.

“Në shtator do të jemi gati që të kemi vendimet e para të kësaj Gjykate”, tha Llagami.

Llagami i ktheu përgjigje edhe kritikave të presidentit Meta se sipas tij, ka tejkaluar afatet për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë në Gjykatën e Lartë. Llagami tha në komision se KLGJ nuk mund të lejonte emërimin në Gjykatën e Lartë të kandidatëve që nuk kanë kaluar procesin e vettingut. Ajo tha se vettingu është pjesë shumë e rëndësishme e Reformës në Drejtësi ndaj dhe ka pasur vonesa në drejtim të plotësimit të vendeve bosh në gjykatë.




Skip to toolbar