Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu kanë mbledhur në një takim në ministri të gjithë drejtuesit e policisë.
Në takim ishin të pranishëm kreu i Gardës së Republikës Gramoz Sako, zv.drejtoresha e Policisë së Shtetit Aida Hajnaj, drejtori i Akademisë së Sigurisë Bilbil Mema, kreu i policisë rrugore Mitat Tola, drejtori i policisë kriminale Tonin Vocaj, zëvendësministritat e Brendshëm dhe drejtues të lartë të policisë.
Në një prononcim për mediat vetë ministri Lleshaj tha se ishte një mbledhje pune e përditshme.
Por kujtojmë se ky takim vjen vetëm 1 javë pas takimit që zhvilloi kryeministri Rama me drejtuesit e policisë në Ministrinë e Brendshme.
Në atë takim Rama la disa porosi. Ai kërkoi zero tolerancë për ndërtimet pa leje në bregdet, si dhe mos lejimin e qarkullimit të makinave të vjedhura. Në atë takim Rama prezantoi ndryshimet në Kodin Penal të cilat parashikojnë dënime me burg për ata persona që bllokojnë rrugët në mënyrë të paligjshme dhe sulmojnë policinë. Një përgjigje direkte kjo për opozitën dhe protestat e saj të dhunshme ku shpeshherë janë sulmuar policët me molotov e shashka.