Lleshaj me “Venecian”, rrëzon Metën: Nuk kishte rrezik për sigurinë

POLITIKË


Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj gjatë takimit me delegacionin e Komisionit të Venecias, ka hedhur poshtë pretendimet e presidenti Meta, i cili tha se u detyruar të shfuqizojë 30 qershorin pas marrjes së informacioneve të klasifikuar se rrezikohej siguria në vend. Ministri i Brendshëm Lleshaj nuk është dakord me këtë deklaratë, dhe nuk ka hezituar që këtë t’ia shpreh edhe delegacionit të Komisionit të Venecias, e cila ndodhet për një vizitë dy ditore në Shqipëri pikërisht për të përgatitur një opinion lidhur me shkeljet kushtetuese të Kreu të Shtetit, Ilir Meta. Lleshaj ka thënë se përpjekjet e dhunshme për destabilizim, nuk arritën të shndërroheshin në kërcënim serioz falë pjekurisë së qytetarëve, të cilët nuk u bënë pjesë e skenarëve të dhunës dhe profesionalizmit të Policisë së Shteti. Lleshaj nuk nguroi të akuzojë presidenti Meta por edhe opozitën jo parlamentare se nuk hezituan të krijonin skenarë apokaliptik, por që nuk mundën t’i vinin dot në zbatim falë strukturave ligjzbatuese. Ministri i Brendshëm njoftoi Komisionin e Venecias se zgjedhjet u zhvilluan të qeta dhe të rregullta, pa incidente edhe pse kishte skenarë imagjinare dhe të dëshiruar për të çuar vendin në destabilizim.

Sot pata nderin dhe përgjegjësinë për të shprehur përpara një delegacioni të Komisionit të Venecias, vlerësimet e mia lidhur me zhvillimet politike të këtij viti të ngarkuar me ngjarje të pazakonta, që kulmuan me përpjekjet e shumëfishta për të cenuar të drejtën e zgjedhjeve demokratike në vend.

Theksova se përpjekjet e dhunshme për destabilizim, nuk arritën të shndërrohen në ndonjë kërcënim serioz për sigurinë e vendit, falë pjekurisë së qytetarëve shqiptarë, që nuk u bënë pjesë e skenarëve të dhunës dhe e profesionalizmit të Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera ligjzbatuese. Ishin pikërisht këta faktorë, të cilët mundësuan që zgjedhjet vendore të zhvilloheshin rregullisht dhe që skenarët apokaliptikë, të imagjinuar apo të dëshiruar, nuk u bënë realitet dhe që Shqipëria të mos binte në një qerthull të rrezikshëm destabiliteti. Takimi me përfaqësuesit e Komisionit të Venecias ishte mjaft profesional dhe me shumë përmbajtje“, thotë Lleshaj.

Përmes këtyre akuzave duket se ministri Lleshaj ka shigjetuar drejtpërdrejt opozitën jo parlamentare me protesta e tyre, ku nuk mungoi dhunimi i institucioneve dhe plagosjet e efektivëve të policisë, por edhe deklaratat e presidentit Meta në Komisionin Hetimor, i cili tha se kishte informacione serioze se gjatë protestave do të digjej Kuvendi, dhe për këtë ishte i detyruar që të shfuqizonte 30 qershorin për të ndaluar gjakderdhjen në vend. Më herët Realstory bëri një kontroll të fakteve ku u vu re se pas firmosje së dekretit për shfuqizimin e 30 qershorit raportohen të paktën 12 sulme më protesta të dhunshme dhe zjarrvënie në mbarë vendin, që synonin djegien e KZAZ-ve dhe materialeve zgjedhore, me arsyetimin se presidenti Meta anuloi zgjedhjet./ Realstory



Skip to toolbar