LLeshaj: PD është kthyer në bandë, por s’mund të pengojë zgjedhjet

Më të fundit


Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në një intervistë në Report TV tha se zgjedhjet do të zhvillohen në datën 30 qershor dhe asnjë parti nuk mund t’i pengojë ato. I pyetur për deklaratën e Berishës i cili tha se një ‘97 e dytë ia vlen për të mbrojtur votën e lirë, LLeshaj tha se “zgjedhjet nuk do të mund t’i pengojë asnjë parti që dëshiron të kthehet në bandë”.

Ai gjithashtu garantoi se Policia e Shtetit do të jetë në krye të detyrës për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“PD mund të tentojë të bëjë gjithçka që mendon në qasjen e saj për jetë a vdekje. Nuk e di se ç’mund të jetë kjo dilemë sot në këtë shekull. Shqiptarët e kanë provuar logjikën e antagonizmit jetik jetë a vdekje dhe do dinë ta përkthejnë vetë këtë retorik absolutisht të papranueshme, të paligjshme.

Zgjedhjet janë kryeinstitucioni demokratik mbi gjithçka. Kush mundohet t’i heqë shqiptarëve të drejtën e zgjedhjes po bën veprën më të rëndë penale. Çdo parti ka të drejtën të bëjë zgjedhjet e veta, të jetë parti, të kthehet në bandë, por të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur s’jua ka dhënë njeri, e kanë fituar vetë, dhe atë të drejtë nuk ka mundësi t’jua heqë askush, sikur të përpiqemi, të bëhemi edhe bashkë. Ditën që vjen dita e zgjedhjeve, do bëhen zgjedhjet.

Unë besoj që Policia e Shtetit është plotësisht e aftë për të garantuar ligjshmërinë në Shqipëri. Tek zgjedhjet përveç policisë, janë qytetarët e vendit që janë mbi të gjithë, që do të ushtrojnë të drejtën e tyre.

Marrëzi në këtë vend kemi parë shpesh herë gjatë këtyre viteve, në ’96; ’97; ’98, shqiptarët kanë arkivuar mjaft memorje për të reflektuar. Historia përsëritet në trajtë komedie, për arsye se duhet të dimë: Shqipëria është vend anëtar i NATO-s.

Nuk ndihem mirë teksa i dëgjoj këto thirrje në pragun e një vendimi historik për Shqipërinë që është hapja e negociatave për në BE”, tha Lleshaj.

Një ditë më parë ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi në TV  se “për votën e lirë ja vlen çdo veprim që kur kombet kanë sakrifikuar për të ja ka vlejtur.  PD është në betejë për jetë a vdekje me armikun më të egër, të votës e rendit që është Edi Rama. PD është për fitore, ose vdekje”



Skip to toolbar